Tërmeti i 26 Nëntorit, pavarësisht pasojave që la si në njerëz dhe në ndërtesa, nuk ishte goditje përfundimtre për ekonominë.
Si çdo fillim viti Banka Botërore publikoi projeksionet për të gjitha ekonomitë e botës, dhe një rishikim të rritjes ekonomike, që prej tërmetit të datës 26 nëntor.
Për BB, rritja ekonomike këtë vit do të jetë në 3.4%, nga 2.9% që vlerësohet viti 2019. Krahasuar me projeksionin e mëparshëm, rritja është shkurtuar me 0.3 pikë përinqdje, gjë që mund të ketë shumë pak, ose aspak lidhje me tragjedinë e 26 nëntorit dhe pasojat që pritet të prodhojë ajo ngjarje.
Shkurtimi i projeksioneve krahasuar me qershorin mund të jetë edhe rrjedhojë e kushteve të jashtme, kryesisht ngadalësimit të ekonomisë globale, e veçanërisht asaj të eurozonës, gjë të cilën Banka Botërore e evidenton si një rrezik për rajonin.
Edhe për Kosovën projeksionet janë shkurtuar në të njëjtën masë me 0.3 pikë përqindje. Ndërkohë, edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë shkurtuar lehtë, me 0.2 pikë përqindje, dhe rritja parashikohet në 3.6%, si dhe në 3.5% përgjatë 2022.
Shqipëria projektohet si ekonomia e tretë në rajon në terma të rritjes ekonomike këtë vit, pas Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket vitit 2019, Banka Botërore, ashtu si të gjitha institucionet e tjera me radhë, ka rishikuar rritjen me 0.8 pikë përqindje, që është rrjedhojë e prodhimit më të ulët energjetik krahasuar me vitin paraardhës, ngadalësimit të efektit të dy projekteve madhore, Tap dhe Devolli, si dhe ngadalësimit të partnerëve kryesorë, veçanërisht Italisë.