MENU
klinika

Zyrtari i lartë i BE në Kosovë

PDK bojkoton takimin: Është i pakuptimtë për dy arsye

30.01.2020 - 16:14

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nisi sot vizitën dyditëshe në Kosovë.

Borrell do të ketë disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit.

Fillimisht do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe më pas do të deklarohet për media.

Borrell, mes tjerash, do të zhvillojë edhe një takim me drejtuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Pas Kosovës, ai do të udhëtojë për në Serbi, ku edhe atje do të takojë përfaqësuesit e shtetit.

Për shkak të pozitës që ka në BE, Borrell pritet të ndërmjetësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ky dialog është pezulluar në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja.

PDK-ja refuzon takimin

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se përfaqësuesit e tyre, nuk do të marrin pjesë në takimin e paralajmëruar me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, tha se takimi është i pakuptimtë në kushtet kur në Kosovë nuk është formuar qeveria e re. Po ashtu, ai tha se ky takim kundërshtohet edhe për faktin se Kosovës ende nuk i është dhenë liberalizimi i i vizave edhe pse janë plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-ja.

“Kërkojmë që mos-prezenca jonë të kuptohet edhe si alarm se procesi i dialogut (Kosovë-Serbi v.j) viteve të fundit ka degraduar edhe nga mungesa e qëndrimit me pro-aktiv e determinues të BE-së, si ndërmjetëse e këtij procesi. Kosova ka treguar në të kaluarën përkushtimin e saj në këtë proces. PDK-ja, pas krijimit të institucioneve të reja, në bazë të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëtve, është e gatshme të angazhohet në proces për të arritur një marrëveshje historike”, tha Veseli./REL