MENU
klinika

Nga Edmond Çata

Për VKM 808, doktoratat, titujt akademikë dhe kërkimin shkencor

13.01.2020 - 14:19

1-VLERA E “VKM 808” PËR DOKTORATAT

VKM 808 e Qeverisë Rama, në 11 Dhjetor 2019, që rihap doktoraturat pas 5 vite bllokimi tregon se sa autonom është universiteti në Shqipëri. Këtu nuk merrem me pseudo-autonominë e universiteteve por pyes: Kjo VKM, a i jep fund fiktivitetit të doktoratave, titujve akademike, dhe në kërkim shkencor?

VKM 808 nuk i jep fund fiktivitetit! Sepse hartuesit, në Ministri apo gjetkë, tregojnë se ose nuk ia kanë haberin, ose nuk duan ti bien në kokë shkakut të vërtetë. “Ilaçi” që ofron VKM as nuk reflekton fare rrënjën katrore të problemit: 1) Modelin e Doktoratave në Shqipëri dhe 2) Pregatitjen Metodologjiko Shkencore. Që kanë qënë dhe mbeten “të paprekshme”. As qeveria Rama, as universitetet, nuk kanë guxuar të përballen me to sepse po ti hiqej kapaku, era kutërbonjëse e fiktivitetit të institucionalizuar në 25 vitet e fundit do të mbyste shumicën dërmuese të pseudo-profesorëve me tituj në Shqipëri!

Vetë VKM 808 është shembulli më tipik i formulimit të politikave publike jo mbi baza shkencore, por mbi urdhëra politikë, praktika empiriciste, zgjidhje voluntariste! Prandaj, pavarësisht kësaj VKM-je, ne prapë do vazhdojmë të shohim plagjiatura, Doktorë Shkencash që nuk ia kanë haberin nga shkencë-bërja apo formulimi korrekt qoftë edhe një hipotezë shkencore le më pastaj të studimeve apo projekteve kërkimore vërtet shkencore!

2-FALSITETI I MODELIT TË DOKTORATAVE NË SHQIPËRI

Cili është shkaku i vërtetë i fiktivitetit të doktoratave? Praktikat burokratike? Apo modeli i pregatitjes së doktorantëve? Universiteti nuk e ka bërë këtë pyetje sepse gjithmonë pret urdhëra nga Ministria. Ministria, me zv.ministrin e arsimit të lartë, apo “specialistët” me master “Shkencor”, nuk e ka bërë këtë pyetje ndonjëherë sepse ose bëjnë atë që iu kërkon kryeministri dhe ministri i rradhës ose aq dinë!

Sipas Ministrisë shkaku i gjëndjes ka “natyrë burokratike”: problemet me pranimet, botimet, kontrollin! Doktorantët u përzgjidhkan me konkurs, por nuk u marrkan ata që e meritokërkan! Doktorantët duhet të botojnë por ata botokërkan në pseudo-revista, pa reputacion akademik. Udhëheqësit, në vënd të ishin rigorozë me doktorantët, e paskan bërë baltë duke udhëhequr jo 7 por edhe 17, 27, apo 37 doktorantë!

VKM 808 i vjen rrotull-e-rrotull dhe nuk sheh fare në sy dy të vërteta të natyrës tërësisht akademike. Së pari, që Doktorëve të Shkencave në Shqipëri iu mungon pregatitja dhe njohuritë në metodologji shkencore. Ndaj VKM do vazhdojë të mbajë gjallë prodhimin e pseudo-doktorëve që as nuk maten dot me profesoratin ndërkombëtar, as nuk bëhen dot pjesë aktive në debatin shkencor të komuniteteve shkencor. Së dyti, që vetë modeli i prodhimit të Doktorave të Shkencave në Shqipëri është fals, i bastarduar në përmbajtje, pa ngjashmëri me modelet në USA, UK, apo Evropë!

Dhe natyrisht! Kur refuzon të merresh me rrënjën katrore të problemit, përfundon e merresh me bishtat dhe jo me kokën, me formën dhe jo përmbajtjen; me simptomat dhe jo shkakun!!! Qeveria Rama dështoi në bërjen e ndryshimeve substanciale në arsimin të lartë, universitete, kërkim shkencor jo thjesht se s’kish një kacidhe në xhep. Por sepse tregoi të njëjtën mendësi të qeverive paraardhëse!

3- S’KA “DOKTOR SHKENCASH” PA PREGATITJE, NJOHURI, DHE AFTËSI NË METODOLOGJI SHKENCORE!

Doktoratat shqiptare janë dhe do vazhdojnë të jenë false dhe joshkencore sepse “Doktori i Shkencave” që ato nxjerrin i mungon pregatitja, njohuritë me veglat, dhe aftësitë në metodologji shkencore. Të cilat përbëjnë esencën e të qënit “Doktor i Shkencave”, që janë kusht “sine qua non” për të qënë shkencëtar. Është pikërisht metodologjia shkencore ajo që e bën një Doktor të Shkencave ti shohë e analizojë faktet e marrëdhëniet në natyrë e shoqëri ndryshe nga njerzit e thjeshtë. Këta të fundit, mund ti shpjegojnë gjërat me fatin dhe rastësinë. Ndërsa një Doktor i Shkencave i sheh dhe analizon gjërat në lidhje shkak-pasojë! Pa njohuri e aftësi në metodologji shkencore nuk shpjegon dot shkencërisht natyrën apo shoqërinë, nuk bën dot shkencë, nuk mund të jesh “Doktor Shkencash”, le më pastaj të justifikosh titujt akademikë “Profesor i Asociuar” apo “Profesor”.

Por njohuritë dhe aftësitë në metodologji shkencore nuk fitohen në mënyrë autodidakte! As në mënyrë empirike! Fitohen përmes shkollimit që gërsheton 1) programet e formimit shkencor me 2) dijen për shkencën dhe 3) pjesëmarrjen në komunitete shkencore! Modelet e “doktorimit” mund të jenë të ndryshme, siç është rasti në USA, UK, apo Europë, por ama kanë të përbashkët një gjë: doktoranti përballet me, dhe i nënshtrohet, rigorozitetit shkencor.

Në Shqipëri marrja e titullit “Doktor i Shkencave” barazohet vetëm me dizertacionin. Ku “autori” nuk ka shkollim në metodologji shkencore dhe mungesën e aftësive në metodologji shkencore e kompenson me plagjiaturë!

4- S’KA “DOKTOR SHKENCASH” TË VËRTETË ME NJË MODEL DOKTORAL KARIKATURË!

Falsiteti i doktoratave vjen nga modeli që përcakton si dhe kush bëhet doktor. Modeli egzistues viktimizon individin me potencial real shkencëtari dhe prodhon pseudo-doktorë shkencash sepse në vënd të standarteve akademike, shkencore, profesionale ai operon me standarte qokash. Ai është një pseudomodel, një karikaturë e shëmtuar pa azgjë të përbashkët me modelet doktorale në USA, UK, apo Evropë.

Në USA dhe UK doktoratat zhvillohen përmes programeve doktorale. Doktoranti merr lëndë në metodologji shkencore me të cilat përvetëson veglat e bërjes shkencë. Merr lëndë specialiteti që i mësojnë deri ku ka progresuar dija shkencore, cilat janë temat, çështjet, tezat më të debatueshme nga komuniteti shkencor, cilët janë studiuesit apo programet kërkimore kryesore! Jep mësim në nivel Bachelor. Ndihmon profesorët në punën e tyre kërkimore. Jep “comprehensive exam” ku tregon kapacitetin teorik që ka zhvilluar, njohjen që ka për fushën e specialitetit, aftësitë për gjykim kritik në debatin brënda komunitetit shkencor. Zgjedh udhëheqësin dhe temën e dezertacionit, i paraqet Komitetit Shkencor projektin kërkimor. Inkurajohet të marrë pjesë në konferenca, të prezantojë, të botojë vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë. Pra në USA dhe UK titulli “Doktor i Shkencave” nuk barazohet me shkruarjen e një dizertacioni por është rezultat i një procesi të tërë impenjimesh akademiko-profesionale.

Në Europë, boshti i doktoratave është profesori me punë kërkimore të konsoliduar e vlerësuar nga komuniteti shkencor. Aspiranti për doktor duhet të gjejë një profesor i cili brënda kuadrit të interesave shkencore dhe punës së tij kërkimore, mban rreth vetes dhe udhëheq disa studentë. Projekti kërkimor i doktorantit duhet të përputhet me punën kërkimore të profesorit. Doktoranti nuk merr lëndë në metodologji shkencore si në USA apo UK por njohuritë, aftësitë, dhe teknikat që nevojiten për kryerjen korrekte të kërkimit shkencor i merr nga instruksionet dhe puna kërkimore e udhëheqësit të tij. Në mbikqyrjen dhe konsulencën e vazhdueshme të udhëheqësit, doktoranti bën kërkimin e vet në funksion të doktoraturës së tij. Doktoranti bashkëpunon gjithashtu për botime jo vetëm me udhëheqësin e vet, por edhe me persona të tjerë që ndajnë të njëjtat interesa dhe punë kërkimore.

Cilësia e Doktorit të Shkencave që këto modele nxjerrin reflektohet jo vetëm në cilësinë e kërkimit shkencor individual por edhe në renditjen e universiteteve. Ku ato amerikane e britanike mbeten superiorë në renditje, iu afrohen fare pak universitete europiane, dhe lënë pas shumë universitete europiane dhe botërore pikërisht se askush nuk del Doktor pa përvetësuar “veglat” e shkencë-bërjes, pa “zdruguar” aftësitë për të bërë shkencë! Doktorët e Shkencave nga universitetet amerikane e britanike janë tamam si macja me shtatë shpirtra: hidhi ku të duash, vëri para çfarëdo realiteti apo faktesh, ata janë në gjëndje që ti vështrojnë e analizojnë në mënyrë shkencore. Kyçi i superioritetit të tyre qëndron tek formimi, metodologjia shkencore, aftësia për të patur një vështrim të gjërë shkencor, familjariteti me veglat e shkencës, dhe përdorimi i metodave të ndryshme analizuese! Ndërsa doktorët e shkencave nga shumica e universiteteve në Europë, duke qënë se dalin jo nga programe studimore doktorale por nga cilësia dhe eksperienca shkencore individuale e një profesori, reflektojnë pikërisht nivelin e njohurive të transferuara tek doktoranti nga profesori udhëheqës. Kjo bën që ata të shfaqin një horizont shkencor më të ngushtë, të jenë të limituar vetëm në programe specifike kërkimi, të jenë më pak fleksibël dhe të mos ua kalojnë dot asnjëherë kolegëve të tyre amerikanë apo britanikë.

Modeli doktoratave në Shqipëri nuk ngjan as me atë në USA dhe UK, as me modelin në shumë universitete europiane. Ndryshe nga ç’ndodh në USA apo UK, doktorantët shqiptarë nuk marrin as lëndë në metodologji shkencore as njohuri për shkencën, zhvillimet shkencore, perspektivat, temat, debatet, tezat, studiuesit më në zë të komuniteteve shkencore në fushën e tyre të specialitetit; nuk japin mësim; nuk ndihmojnë ndonjë profesor në punën kërkimore; nuk japin comprehensive exam; botimet e tyre janë pseudobotime. Doktoranti shqiptar “shkruan” dizertacion pa shkruar më parë asnjë “academic paper”, pa përvetësuar veglat e bërjes shkencë, pa patur asnjë ide rreth fazave të procesit kërkimor, metodave analizuese; është i vetmi që nuk kanë haber nga analiza statistikore! UET-i tentoi për ca kohë të aplikonte këtë model. Por materializimi i modelit, me “ditë doktorale”, me kurrikulë doktorale që ofrohej me lëndë të një niveli të diskutueshëm, me trajtim të doktorantëve si turmë bachelori, ishte as më shumë as më pak por një karikaturë e vërtetë. Prandaj, nuk është çudi përse doktoraturat shqiptare gëlojnë nga plagjitura dhe pavlera shkencore!

Por modeli shqiptar i doktoratave nuk ngjan as me modelin doktoral që përdorin shumë universitete në Europë. Nëse në Europë boshti i doktoratave është profesori me eksperiencë akademiko-shkencore dhe program kërkimor aktiv, në Shqipëri ky lloj “profesori” mungon! Tek ne, ka pak ose mungojnë farë profesorët me kërkim shkencor të konsoliduar, konsistent, me vlefshmëri të njohur nga komuniteti shkencor ndërkombëtar në një fushë specifike! Profesorët qe kemi në Shqipëri, titullin “Doktor” e kanë marrë nga një model doktoral karikaturë; titujt “Profesor i Asociuar” apo “Profesor” i kanë marrë me qoka, apo përmes lidhjeve politiko-nepotike. Puna kërkimore në të gjithë nivelet, Doktor i Shkencave, Profesor i Asociuar, Profesor, është ose inegzistente ose pavlerë shkencore. Botimet e tyre janë në revista fantazmë, një-këtu-një-atje. Puna kërkimore e tyre nuk përbëhet nga “blloqe” konsistente, që të përfaqësojnë një program kërkimor, që të rrahin qartësimin shkencor të një dukurie apo fenomeni.

Pikërisht sepse kërkimi është pseudo-shkencor, sakat, pa busull, pa tiparet e një programi kërkimor; pikërisht sepse biografia shkencore e “profesorit” shqiptar është sterrë, nuk mund të thuhet që edhe në Shqipëri egziston ai tip profesori që në Evropë shërben si bosht për modelin doktoral dhe prodhimin e Doktorëve të rinj. Në universitetet shqiptare nuk ka profesorë të tillë që punë kërkimore e të cilëve të ketë tiparet e një program kërkimor dhe të jetë e spikatur. Kësisoj, nuk mund të flitet as për profesorë që krahas punës së tyre kërkimore, dhe brënda këtij kuadri, të udhëheqin edhe grupe doktorantësh! Në Shqipëri ka raste, të vënë në dukje nga media apo edhe VKM 808, që disa profesorë kanë shërbyer si udhëheqës të një numri të lartë doktorantësh por kjo gjë nuk ka qënë se “profesori udhëheqës” ka patur një program kërkimor dhe doktorantët kanë punuar doktoratën me aspekte të këtij programi. Në Shqipëri numri i doktorantëve të udhëhequr nuk ka patur lidhje me programet kërkimore por thjesht me paratë shtesë që merrte “profesori” për çdo doktorant! Në Protestat Studentore të Dhjetorit 2018 u bënë publike jo pak raste të udhëheqjes së doktorantëve nga “profesorë” pa asnjë lidhje me fushën e specialitetit apo punës kërkimore!

Prandaj Doktorat e Shkencave do vazhdojnë të dalin pseudo-doktorë përsakohë që modeli i doktorimit që universitetet shqiptare, publike apo private, do vazhdojë të mos e pajisë doktorantin me veglat e të bërit shkencë, të mos e aftësiojë në metodologji shkencore, dhe të vazhdojë të bazohet në një profesorat pa një punë kërkimore vërtet shkencore, të vlerësuar e njohur nga komunitetet shkencore ndërkombëtare!

5- FALSITETI I KËRKIMIT SHKENCOR DHE TITUJVE AKADEMIKË.

14 Universitetet publike punësojnë sot rreth 3060 pedagogë në 56 fakultete, 267 departamente, 10 institute, 17 qëndra kërkimore. 71% e tyre ose 2168 vetë, mbajnë tituj akademikë. 14.3% ose 439 vetë janë “Profesor”, 21.1% ose 645 vetë janë “Profesor i Asociuar,” 35.4% ose 1084 vetë janë “Doktor i Shkencave”. Kërkimi shkencor i këtij stafi është ose inegzistent, ose pavlerë shkencore. Në 2014, Florida Misha analizoi kërkimin shkencor në shkencat teknike për periudhën 2008-2013. Gjeti se në 6 vjet, profesorati i kësaj fushe kish botuar vetëm 120 artikuj, nga të cilët vetëm 2% në revista ndërkombëtare elite; se artikujt mbanin autorësi deri gjashtë personave, dhe se “Indeksi Hirsch” i botimeve ishte zero, dmth ishin të pareferuara nga antarët e komunitetit shkencor ndërkombëtar. Mungesa, ose pavlera, e kërkimit shkencor të profesoratit shqiptar nuk është problem vetëm tek shkencat teknike por edhe në fushat e tjera të shkencës. Ne, në raport me popullsinë, kemi jo vetëm më shumë universitete e profesorë me tituj akademikë sesa shumë vende të tjera, por kemi edhe shkallë më të lartë fiktiviteti në titujt akademikë dhe kërkim shkencor. Pse?

Sepse ka një rreth vicioz fiktiviteti të “institucionalizuar”: Modeli pregatitjes doktorale, që supozohet të prodhojë “Doktorë Shkencash” të pregatitur, prodhon pseudo-doktorë. Pseudo-doktorët e prodhuar nga modeli karikaturë duan të bëhen “Profesorë të Asociuar”, apo “Profesorë.” Për tu bërë të tillë, kërkohet produkt shkencor, botime. Por në kushtet kur modeli pregatitjes doktorale nuk i ka pajisur ata me veglat e shkencë-bërjes, ata nuk kanë këllqe të prodhojnë punë shkencore që të “çajë” dhe vlerësohet në komunitetet shkencore ndërkombëtare. Rruga e vetme për të fituar titull shkencor mbetet: 1) bërja e kërkimit shkencor fiktiv, ose 2) marrja e titullit pavarësisht mosplotësimit të kritereve përmes favorizimit politik, nepotik, klientelist. Fiktiviteti nuk ndalon këtu. Pseudo-profesorët me tituj akademikë të fituar pseudo-meritë, pavarësisht defiçencës së tyre shkencore dhe mospasjes së një pune kërkimore shkencore konsistente dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, bëhen “udhëheqës shkencorë” të doktorantëve të rinj. Fiktiviteti pra, nis me pregatitje doktorale fiktive, vazhdon me tituj akademikë, kërkimi shkencor, dhe udhëheqës shkencorë fiktivë, dhe rifillon ciklin po tek pregatitje doktorale fiktive. Prandaj modeli ynë karikaturë i 25 viteve të fundit, në mënyrë të “institucionalizuar” jo vetëm ka “prodhuar” pseudo-doktorë, por edhe ka “riprodhuar” fiktivitetin në titujt akademikë dhe kërkim shkencor, dhe pseudo-profesorat!

Cila është arsyeja e fiktivitetit të titujve akademikë dhe kërkimit shkencor? Kriteret ligjore? Apo modeli i vlerësimit të kërkimit shkencor dhe titujve akademikë? VKM 808 ia vë fajin kritereve ligjore. Po kërthiza e problemit është modeli aktual i vlerësimit të profesoratit. Me VKM 808 qeveria Rama përsërit të njëjtin gabim të qeverive të mëparshme kur mendon fiktiviteti me titujt akademikë e kërkimin shkencor zgjidhet me VKM e kritere ligjore. Fiktiviteti nuk zgjidhet me ligj apo kritere ligjore. Nuk e ka zgjidhur problemin në këto 25 vite, nuk ka për ta zgjidhur as edhe 25 vitet e ardhshme. Po të shohësh fitimin e titujve akademikë, një numër i madh i pseudo-profesorëve janë bërë “Profesor” apo “Profesor i Asociuar” në 10-15 vitet e fundit. Edhe pse kërkimi shkencor i tyre ka qënë ose inegzistent, ose pavlerë shkencore. Disa janë bërë me qoka apo përmes lidhjeve politike e nepotike. Ka raste kur është kaluar nga “Doktor i Shkencave” në “Profesor i Asociuar,” apo nga ky i fundit në “Profesor” në kohë rekord, edhe brënda 2 vjetësh, pavarësisht sasisë dhe cilësisë së punës kërkimore-shkencore.

Fiktiviteti në titujt akademikë dhe kërkim shkencor është çështje akademike që “përballet” vetëm me instrumenteve akademikë. Një instrument është ndryshimi i modelit aktual karikaturë të pregatitjes metodologjike; futja e modelit që përdorin universitetet në USA dhe UK. Pa përvetësuar “veglat” dhe metodologjinë e bërjes shkencë, nuk mund të ketë as profesorë, as kërkim shkencor të vërtetë. Instrumenti i dytë është bërja kusht e vlerësimit të punës kërkimore për mbajtjen e vendit të punës si pedagog. Në USA dhe UK ky element njihet si parimi “tenure” ose “publish or perish”, dmth pa publikime në revista serioze ndërkombëtare nuk mban dot vendin e punës si pedagog. Në Shqipëri, e gjithë lufta është sa të futet dikush pedagog, pastaj, nuk ka zot ta shkulë më nga pedagogllëku. Instrumenti i tretë është vlerësimi i cilësisë së punës kërkimore. Deri tani ky vlerësim ka qënë lënë në dorën e mikut, familjar apo nepotik, politik apo klanor; ose të pseudo-konferencave shkencore, pseudo-botimeve shkencore, pseudo-revistave shkencore. Me VKM 808 Ministria e Arsimit merr përsipër të përcaktojë edhe “vendet” e botimit. Jo më në Tompson Reuters (se nuk “bëka”) por në “Journal Citation Reports” ose Scopus” (hahahaha, c’kam qeshur me këtë budallallëk; por kjo tregon innjorancën e hartuesve). Ndryshimi i vërtetë në vlerësim është që si metër matës vlerësues të përdoret botimet në revista ndërkombëtare “peer review”, që njihen nga komuniteti shkencor i një fushe specifike si revista serioze dhe ku botohen punime vetëm nëse kanë vërtet vlerë shkencore dhe jo prej bërjes favore njërit apo tjetrit.

6- PËRSE QEVERIA RAMA E ADRESON FIKTIVITETIN ME VKM 808 DHE JO ME MËNYRA TË TJERA?

Qeveria Rama mund ta kishte adresuar problemin e fiktivitetit me disa mënyra. Të identifikuara dhe bërë publike më shumë se një herë që prej protestave studentore të Dhjetorit 2018. Nga vetingu akademik e deri tek kontraktimi i organizmave apo profesoratit ndërkombëtar dhe shqiptar të shkolluar jashtë për të bërë gjënë e duhur. Që qeveria nuk e bën dot, dhe universitetet nuk duan ta bëjnë.

Por Qeveria Rama nuk ka para për të bërë gjënë e duhur. Nëse PPP-të e famshme e nënkuptonin indirekt, tërmetet e 21 Shtatorit dhe 26 Nëntorit treguan se Qeveria Rama është qeveri me arkë bosh, pa para, për tu angazhuar seriozisht në përballjen me një problem dhe ndryshimin e gjëndjes. Nëse Qeveria Rama do ta kishte megjithë mend përballjen me fiktivitetin, do ti duhej të shpenzonte para të cilat ajo as nuk i shkon në mënd të shpenzojë, as edhe nuk i ka! VKM 808 është për Qeverinë Rama një “marrje” pa shpenzime, pa kosto financiare, me fiktivitetin në universitete, pregatitjen shkencore, profesorat, apo kërkim shkencor. Në fakt, është e “vetmja” rrugë për të treguar që qeveria po “bën” diçka, meqë problemet në universitete, arsimin e lartë, profesorat, dhe kërkimin shkencor nuk PPP-oen dot!

Qeverisë Rama i mungon gjithashtu edhe vullneti për të bërë gjënë e duhur. Që Qeverisë Rama i mungon vullneti të angazhohet seriozisht në përballjen me fiktivitetin, kjo u duk edhe në mënyrën sesi ajo destinoi fondin prej 200-300 milionë lekë të vjetër që ajo shpalli në 2018 se vinte në dispozicion të projekteve shkencore me impakt. Qeveria Rama kishte në tryezë të paktën 3 projekte se si mund të përballej me fiktivitetin dhe mungesën e cilësisë në universitete, profesorat, kërkimin shkencor. Në vënd të orientimit të parave drejt këtyre projekteve me impakt të drejtëpërdrejtë mbi universitetet dhe arsimin e lartë në Shqipëri, Qeveria Rama financoi projekte që vetëm me arsimin e lartë cilësor nuk kishin të bënin.