Avioni më i madh reaktiv privat në botë u prezantua nga Gulfstream Aerospace Corp., dhe bëhet fjalë për modelin Gulfstream G700 TM. Ky model i ri do të jetë avioni kryesor i kompanisë tani e tutje.
Gulfstream e kishte paralajmëruar modelin e ri G700 në panairin e avionëve dhe pajisjeve të aviacionit për vitin 2019 në Las Vegas.
Në ngjarje presidenti i Gulfstream, Mark Burns e prezantoi draftin e avionit të ri, si dhe një videoklip të avionit në kompanitë në Savannah, Georgia.
“Gulfstream G700 i merr elementet më të mira nga produktet tona më inovative dhe i bashkon ato për ta krijuar një fluturake krejt të re të teknologjisë së avancuar e cila e ridefinon sigurinë, rehatinë dhe shpejtësinë”, tha Burns.
Ky paralajmërim është lajmi më i madh në historinë e aviacionit afarist dhe është rezultat i investimit të General Dynamics në zhvillimin e teknologjisë Gulfstream, shtoi ai.
Gulfstream G700 e ka një kabinë të madhe, një kuzhinë të madhe me një sallë pritjeje pasagjerësh dhe dhomë speciale të ekuipazhit, tavolina ngrënie dhe konferencash me gjashtë ulëse dhe një suitë master me dush.
Është interesante që Qatar Airways tashmë i ka porositur dhjetë avionë Gulfstream G700, shkruan Haute Time.