MENU
klinika

Shtyllat kryesore të buxhetit 2020

Rindërtimi, rritja ekonomike dhe investimet

01.01.2020 - 15:48

Të ardhurat e parashikuara të mblidhen në buxhetin e vitit 2020 llogariten 509 675 milionë lekë, ndërsa pritet të shpenzohen 549 374 milionë lekë duke krijuar kështu një deficit prej 39 699 milionë lekësh.

Një ndër objektivat kryesorë të buxhetit është vijimi i rritjes ekonomike të vendit, e cila shoqërohet me rritje të të ardhurave, punësimit, mbështetje më të madhe të reformave, përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritje të mirëqenies së tyre, si dhe përshpejtim të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Rritja ekonomike, për vitin 2020, parashikohet të jetë 4.1 për qind, nga 3.4 për qind që vlerësohet të jetë në vitin 2019. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të përshpejtohet gjatë periudhës afatmesme deri në nivelin 4.5 për qind për secilin prej viteve 2021 dhe 2022.

Rritja ekonomike do të mbështetet nga rritja e kërkesës së brendshme, nëpërmjet rritjes së konsumit dhe investimeve.

Buxhetit të vitit 2020, i fokusuar në rindërtim dhe investime në vazhdimësi për qytetarët, synon uljen e borxhit në nivelin prej 64.8% të PBB; deficit brenda parametrave të vendosur me një bilanc të përgjithshëm prej 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, investime publike në nivelin e 4.55% të PBB-së, si dhe bilanc primar pozitiv në nivelin prej 0.1% të PBB.

Buxheti për vitin 2020 ka një specifikë, pasi gjatë këtij procesi ndodhi tragjedia natyrore, tërmeti i 26 nëntorit 2019, që solli humbje në njerëz, si dhe shembje e dëmtime të pasurive të paluajtshme në disa qarqe të vendit.

Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave vendosi situatën e jashtëzakonshme në vend dhe po ndërmerr, hap pas hapi, masat e nevojshme për financimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, si dhe minimizimin e pasojave të tij, me qëllim lehtësimin e kushteve të jetesës së personave apo familjeve në të cilat ka pasur viktima apo dëmtime banesash. Një pjesë e dëmeve do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Përmes programit të rindërtimit, hartuar për përballimin e këtyre pasojave është caktuar një fond prej 20 miliardë lekësh, i cili përbëhet nga: – grante 7 miliardë lekë; – shpenzime të buxhetit të shtetit 13 miliardë lekë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë

“Shëndetësia falas?”/ Ja çfarë pritet në 2020!