Transferta e pakushtëzuar, ka si qëllim t’u sigurojë bashkive diferencën mes kostos së ushtrimit të funksioneve (nevojat për shpenzime) dhe të ardhurave që ato krijojnë në mënyrë të pavarur. Për 2020, kjo transfertë, në total arrin vlerën e 25 miliardë lekëve.
Rreth 18 miliardë lekë është pjesa e përgjithshme e Transfertës së Pakushtëzuar (TP), që korrespondon me 1% të PBB dhe 7.6 miliardë lekë është pjesa sektoriale.
Gjithsej transferta e pakushtëzuar që shpërndahet nëpërmjet formulës është 20 miliardë lekë, pas zbritjes së fondeve për konviktet, shërbimet sociale, për rrugët rurale dhe për mbështetjen e reformës në arsimin parashkollor, të cilat me qëllim rritjen e transparencës janë nxjerrë jashtë totalit të transfertës që ndahet me formulë.
Kriteret e shpërndarjes së fondeve në formulë kërkojnë të identifikojnë nevojat reale të shpenzimeve të njësive të ndryshme të vetëqeverisjes vendore mbi bazën e popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat publike 9-vjeçare dhe të mesme në territorin e një bashkie.
Në formulë 63.8 % e transfertës për bashkitë alokohet mbi bazën e popullsisë relative. Në vijim të rregullimit të numrit të popullsisë së Censusit duke i shtuar atij edhe 30% të diferencës midis të dhënave të Gjendjes Civile dhe të dhënave të Censusit, çdo njësi e vetë qeverisjes vendore merr një transfertë të pakushtëzuar prej 3,845 lekë, për çdo banor rezident në njësinë e vetë qeverisjes vendore. Në formulë 12 % e totalit të fondit për bashkitë,ndahet mbi bazën e dendësisë së popullsisë.
Kriteri i tretë mbi të cilin ndahet transferta e pakushtëzuar për bashkitë është numri i fëmijëve në arsimin parashkollor i kombinuar me numrin e personelit mësimor në arsimin parashkollor, dhe numri i nxënësve në shkollat publike nëntë-vjeçare dhe të mesme.
Ndërkohë, pjesa prej 5% e totalit të transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme për bashkitë do të ndahet mbi numrin faktik të nxënësve në shkollat publike në çdo bashki, kundrejt totalit kombëtar të nxënësve.
Bashkitë do të marrin një fond prej 1,920 lekë për çdo nxënës në territorin e tyre. Dhe kriteri i fundit është mbi bazën e të ardhurave që marrin nga tatimi mbi fitimi e bizneseve dhe taksën e automjeteve të përdorura.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore që kanë të ardhura për frymë nën 80% të mesatares kombëtare prej 534 lekë/frymë, do të kompensohen me 100% të diferencës ndërmjet të ardhurave të tyre për frymë dhe mesatares kombëtare.