MENU
klinika

Prioriteti i BE-së

SHBA-Iran/ Për cilin ‘shqetësohet’ më shumë Evropa?

12.01.2020 - 17:17

Përshkallëzimi i tensioneve midis Iranit dhe SHBA-së ka treguar një realitet aspak të pakëndshëm për shumë miq të Amerikës në Evropë.

Kur Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës, vendet e tjera nënshkruese të Planit të Përbashkët të Gjithëpërfshirës të Veprimit, i njohur ndryshe si marrëveshja e Iranit, të bashkoheshin me të duke u larguar nga JCPOA, ai po u kërkonte aleatëve të tij evropianë të bënin më shumë sesa të izolonin Iranin.

Marrëveshja për Iranin, e cila u nënshkrua nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është arritja e vetme më e madhe e politikës së jashtme në historinë e BE-së.

Ishte BE që bëri përpjekjet për të sjellë të gjitha palët në tryezë. Duke vepruar kështu, jo vetëm që inkurajoi Iranin të merrej me Perëndimin, por krijoi në mënyrë thelbësore një forum në të cilin BE mund të fillojë të merret me atë që tani është qëllimi kryesor i saj në politikën e jashtme.

“Prioriteti kryesor i BE-së është marrëdhënia e ekuilibruar midis dy të mëdhenjve: Kina dhe Amerika,” tha Steven Blockmans, kreu i punëve të jashtme në Qendrën Evropiane për Studime të Politikave.

Historikisht, Kina dhe Irani kanë marrëdhënie të mira diplomatike. Ato u përmirësuan edhe më shumë pas nënshkrimit të JCPOA, pasi investimet kineze në Iran u rritën dhe vazhduan, edhe pasi Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore.

Diçka që Kina dhe Irani gjithashtu kanë të përbashkët janë marrëdhëniet jo dhe aq të mira me Trump.

Ndërkohë, Irani ka marrëdhënie të mira, diplomatike dhe ushtarake me Rusinë. Shumë vende të BE mbështeten tek investimet ruse dhe burimet natyrore.

Sidoqoftë, vitet e fundit, Evropa ka vendosur sanksione financiare ndaj Rusisë, pas ndërhyrjes ruse në vendet evropiane, duke filluar nga fushatat e dezinformatave deri tek vrasja e disidentëve rusë të mbështetur nga shteti. Dhe kombet e Evropës Perëndimore kanë kundërshtuar hapur aneksimin ilegal të Krimesë në lindje të Ukrainës nga Rusia.

Kriza e Iranit ka hequr perden dhe zbuloi dinamikën, me të cilën përballet Evropa.

BE dëshiron të menaxhojë ekuilibrin Kinë-SHBA; Mbretëria e Bashkuar dëshiron të menaxhojë ekuilibrin SHBA-BE dhe të dy SHBA dhe Kina dëshirojnë të tejkalojnë njëri-tjetrin.

Në vitin 1948, Presidenti Harry Truman nënshkroi në ligj Planin Marshall, nga i cili Evropa Perëndimore mori miliarda dollarë në mënyrë që të rindërtohej pas dy luftërave botërore.

Në vitin 2020, një president tjetër amerikan është ndoshta një pengesë shumë më e madhe për kontinentin e vjetër sesa, Kina, Irani apo Rusia. Sa shumë mund të ndryshojnë gjërat në 72 vjet!

Luke McGee

Përkthyer dhe përshtatur nga CNN/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN