MENU
klinika

Cakaj takon Yuri Kim

“SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë”

28.01.2020 - 12:58

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim kortezie Ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj.Yuri Kim.

Kryediplomati Cakaj në një postim në facebook, shprehu se gjatë takimit me Ambasadoren Kim u diskutuan gjerësisht çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

“Sot pata nderin e rrallë të pres në një takim kortezie Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj. Yuri Kim! Jemi mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”– përfundoi Cakaj postimin e tij.

“Mirëseerdhe në Tiranë e dashur Yuri!”

Diplomatja amerikane u prit në një takim edhe nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

“Ishte vërtet një kënaqësi që prita sot në takimin e saj të parë zyrtar, pas prezantimit të letrave të saj kredenciale, Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. E lumtur që ashtu si në takimin tonë të parë në Pentagon, vitin që shkoi, kur Ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ndamë të njëjtat vlerësime e konsiderata për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve tona.

Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të Ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneriteti mes departamenteve tona të mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë”, njoftoi Xhaçka në facebook.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qëndrimi i guximshëm i Shqipërisë ndaj Iranit…

Palmer takohet me Yuri Kim