Në vitin 2018 Shqipëria voli rreth 10.800 tonë portokall, duke zënë kështu vendin e 7 në Europë. Me këtë renditje ne kemi lënë mbrapa edhe Francën, e cila voli 10.090 tonë.
Eurostat ka publikuar një raport, sipas të cilit gjatë 2018-s në Shqipëri u kultivuan 300 hektarë me portokall.
Raporti i Eurostat evidenton se Shqipëria rriti me 100 hektarë sipërfaqen e kultivimit të portokallit në 2018, krahasuar me 2017, ndërsa edhe prodhimi u rrit me 1.700 tonë.
Shtimi me 1/3 i sipërfaqes në 2018-n është një tregues se prodhimi do të rritet më shumë në vitet në vijim, kur të hyjnë në prodhim fidanët e rinj.
Sipas raportit të INSTAT-it, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) volën 6.5 milionë tonë portokall në vitin 2018.
Ky ishte niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010 dhe u mbështet nga vjelja rekord në Spanjë. Sipas Eurostat, Spanja voli 3.6 milionë tonë portokall, ose 56% të totalit që u vol në vendet e BE-së.
Përveç Spanjës, vendet e tjera kryesore prodhuese ishin Italia, me 1.6 milionë tonë, ose 24% e totalit të BE dhe Greqia me 0.9 milionë tonë, ose 14% e totalit të BE.
Pothuajse 274 mijë hektarë (ha) portokallësh u kultivuan në vitin 2018, dhe pak më shumë se gjysma e kësaj sipërfaqe totale ishte në Spanjë (140 mijë ha).
Vendi i dytë i takon Italisë me sipërfaqen më të lartë të prodhimit të portokallit konkretisht 83 mijë ha, që përbënte 30% të totalit të BE-së, e ndjekur nga Greqia me 32 mijë ha, ose 12% e totalit të BE-së.