MENU
klinika

Objektivi i Shqipërisë

Taksa ndaj Serbisë/ Kush është përfituesi i vërtetë?

18.01.2020 - 17:35

Taksa që i vendosi Kosova produkteve të Serbisë, në fund të vitit 2018 ngjalli shumë debate por mbi të gjitha shpresë për Shqipërinë për të rritur këmbimet tregtare me Kosovën dhe për të shtuar praninë e produkteve tona në tregun kosovar.

Por, referuar statistikave të tregtisë së jashtme për vitin e kaluar treguan se kjo pritshmëri është përmbushur vetëm pjesërisht. Për vitin e kaluar Shqipëria eksportoi drejt Kosovës mallra në vlerën e afërsisht 30 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me vitin 2018. Në strukturën e eksporteve shqiptare drejt Kosovës dominojnë materialet e ndërtimit dhe metalet, që përbëjnë 46% të totalit.

Duke pasur parasysh se taksa doganore pothuajse e mbylli tregun kosovar për mallrat serbe, mendohej se rritja e eksporteve shqiptare do të ishte më e lartë.

Po të shohim statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se në fakt përfituesi kryesor mes fqinjve nga taksa kundër produkteve serbe ka qenë në fakt Maqedonia e Veriut.

Importet maqedonase u rritën me 43% për 11 mujorin e vitit 2019, rritje kjo mbi katër herë më e lartë krahasuar me importet nga Shqipëria. Ndërkohë, jashtë rajonit, është vërejtur një rritje e ndjeshme e importeve nga vendet e Bashkimit Europian dhe nga Turqia.

Prodhimet shqiptare duket se nuk mundën të “pushtonin” tregun kosovar mund të lidhet me arsye të ndryshme, që nga ato ekonomike e deri tek problemet politike dhe administrative.

Mes dy vendeve ka ende barriera burokratike dhe procedurale, që nuk i shërbejnë rritjes së këmbimeve tregtare.

Shembuj të sjellë nga bizneset janë taksa për kalimin në rrugën e kombit, tarifat në terminalet doganore dhe ato për skanimin e kontejnerëve, certifikatat fitosanitare, çmimet e referencës, tarifat e skanimit të kamionëve, etj.