MENU
klinika

Efektet e taksës 100%

Eksportet në Kosovë rriten me 35%

17.12.2018 - 12:50

Eksportet shqiptare drejt Kosovës për muajin nëntor u rritën me 35%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, muaji i parë i aplikimit nga Kosova të taksës doganore 100% mbi produktet serbe është reflektuar në një rritje të ndjeshme të eksporteve shqiptare drejt tregut kosovar.

Ky vendim u mirëprit si një shans i madh nga sipërmarrjet shqiptare dhe sidomos nga industritë prodhuese. Megjithëse taksa u vendos në dhjetëditëshin e fundit të muajit nëntor, duket se ajo ka dhënë efekte të dukshme në bilancin e tregtisë mes dy vendeve.

Për Shqipërinë, viti 2018 po shkon drejt mbylljes me një bilanc tregtar më të mirë se viti i kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për nëntorin deficiti tregtar i vendit ra sërish dhe deri tani, për vitin 2018 deficiti tregtar ka rënë me 7.5% krahasuar me vitin 2017.

Eksportet shqiptare u rritën edhe për nëntorin, ndonëse rritja ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me muajt e mëparshëm. Sipas Instat, eksportet shqiptare u rritën me afërsisht 7%. Për 11 muaj, eksportet kishin vlerën e 289 miliardë lekëve, në rritje me 15% krahasuar me vitin e kaluar.

Paralelisht, për këtë vit importet janë rritur me më pak se 3%, çka edhe rrjedhimisht shpjegon përmirësimin e ndjeshëm të bilancit tregtar. Për muajin nëntor, eksportet u dominuan sërish nga grupi tekstile dhe këpucë, që ishte sërish kontribuesi kryesor në rritjen e eksporteve.

Në 11 muaj, Shqipëria ka eksportuar mallra të këtij grupi në vlerën e 115 miliardë lekëve ose 40% e gjithë vlerës së eksporteve shqiptare.

Në rënie për nëntorin ishte grupi i dytë më i rëndësishëm, ai që përfshin mineralet, lëndën djegëse dhe energjinë. Kjo besohet të ketë ardhur nga ndërprerja e eksporteve të energjisë, që sidomos në pjesën e parë të vitit kishin dhënë një kontribut të madh në rritjen e eksporteve.

Ndryshimi i situatës energjetike në vend është reflektuar edhe tek shifrat e importeve. Për grupin “minerale, lëndë djegëse, energji” importet u rritën me 32% gjatë muajit nëntor.

Megjithatë, grupi që kryeson importet për këtë vit ngelet ai mallrave kapitale. Për 11 muaj, Shqipëria ka importuar mbi 1 miliard euro makineri dhe pajisje, çka tregon një ecuri të lartë të investimeve edhe për këtë vit.