MENU
klinika

Marrëdhënia tregtare Shqipëri-Kosovë

“Tarifa e Rrugës së Kombit e shtrenjtë, shpresojmë të ulet”

02.01.2020 - 18:19

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ngre nevojën e forcimit të tregut midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe krijimin e të gjitha hapësirën që mos të ketë barriera për zhvillimin e shkëmbimeve.

Edhe pse marrëdhëniet politike së fundmi mes dy vendeve nuk janë të kënaqshme prej iniciativës për Mini-Shengen Ballkanik, Minxhozi thotë se sa i përket marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka trend rritës.

“Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer midis vetit 15% më tepër se vitin e kaluar. Ka shumë zëra që thonë që nuk kanë qenë efektive mbledhjet e qeverive apo marrëveshjet, por unë po them që nuk kanë arritur aty ku mendonim ne zbatueshmëria, por prap se prap në një masë të konsiderueshme janë bërë. Matësi kryesor është ekonomia dhe kjo po ecën mirë”– tha Minxhozi.

Ndërkaq, ambasadori Minxhozi në një intervistë për Kosovapress pranon se taksa rrugore në “Rrugën e Kombit”, është e shtrenjtë, por po shpreson që do të ketë një ulje të çmimit të taksës në të ardhmen.

“Kemi shmangur disa barriera doganore, por prap ato bëhen një pengesë. Porti i Durrësit është në eficencë, që është realizuar dmth që të jetë edhe porti i Kosovës, por prap duhet të shikojmë mundësinë që mos ketë veprime të dyfishta që edhe Shqipëria dhe Kosova. Ne duhet të bëjmë njëherë e mirë një rregull, një praktikë përsa i përket certifikatave sanitare”- vijoi ambasadori.

Sipas ambasadorit, sikurse që ka biznese të Kosovës që ankohen se në Shqipëri nuk ka klimë të favorshme për të bërë biznes, ashtu edhe bizneset e Shqipërisë po ankohen për kushtet e të bërit biznes në Kosovë.