Prof. Dr. Adrian Civici, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Duke pasur parasysh faturën shumë të lartë të dëmeve nga tërmeti, që nga dita në ditë po i afrohet shumës prej 700-800 milionë euro, mendoj se gjatë 2020 do të përballemi me një ekonomi të “plagosur” rëndë që do kërkojë kohë të rimëkëmbet dhe të kthehet në gjendje normale që garanton rritje ekonomike
Prof.Dr. Adrian Civici, nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, thotë se 2020-a pritet të jetë viti i sfidave të mëdha. Civici argumenton se faktorët e rritjes ekonomike për 2020 duhet t’i ndajmë në dy kategori: masat dhe politikat specifike, që kanë të bëjnë me përballimin dhe eliminimin e pasojave të tërmetit dhe së dyti, vazhdimi i disa reformave të rëndësishme që kanë të bëjnë me fiskalizimin, reduktimin e informalitetit, përmirësimin e klimës së biznesit, thithjen e IHD në kuadër të disa projekteve të mëdha me efekt të ndjeshëm në ekonomi, ecuria e PPP-ve.
Profesori parashikon se, fatura shumë të lartë e dëmeve nga tërmeti, që nga dita në ditë po i afrohet shumës prej 700-800 milionë euro, ka krijuar një plagë të rëndë në ekonomi.
Civici mendon se ecuria e 2020 pritet të japë një rritje ekonomike rreth nivelit 2.8-3.2%.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2019?
Gjatë vitit 2019, ekonomia shqiptare pati një performancë relativisht të dobët, si në kuptimin relativ, në raport me parashikimet dhe pritshmëritë, ashtu dhe në kuptimin absolut duke shfaqur dobësi me natyrë strukturore afat-gjatë. Rritja ekonomike në fund të vitit 2018 rezultoi 4.06%, duke reflektuar efektin pozitiv të prodhimit të energjisë elektrike, sezonit shumë të mirë turistik, industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese, si dhe ndikimin pozitiv të dy projekteve të mëdha TAP dhe kaskadës së Devollit.
Ndërkohë, në vitin 2019, ka një tkurrje të efekteve të këtyre faktorëve: për shkak të faktorëve klimatikë, prodhimi i energjisë elektrike rezultoi ndjeshëm nën nivelin e parashikuar duke ndikuar edhe në rritjen e shpenzimeve për importe masive të saj; efekti i IHD, kryesisht dy projekteve të mëdha ishte në fundin e tij duke pasur një ndikim minimal; konsumi nuk shënoi rritjen e parashikuar, ndërkohë që edhe importet e eksportet u tkurrën duke qene larg pritshmërive dhe indikatorëve të planifikuar. Sipas INSTAT, gjashtëmujori i parë i vitit 2019 rezultoi me një rritje ekonomike 2.36%, ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 3,81 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018.
Referuar INSTAT, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë: Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbim ushqimor me +1,25 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,71 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me +0,67 pikë përqindje, aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,63 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,29 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,28 pikë përqindje, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,15 pikë përqindje. Ndërkohë, negativisht kanë kontribuar aktiviteti i arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,63 pikë përqindje, Ndërtimi me -0,10 pikë përqindje dhe Informacioni dhe Komunikacioni me -0,02 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,57 pikë përqindje.
Nëse analizojmë shifrat, tremujori korrik-gusht-shtator rezulton te këtë qenë periudha më e mirë e vitit 2019. Ndikim mjaft pozitiv ka pasur turizmi duke qenë se në këtë tremujor është sezoni turistik.
Me këtë trend të rritjes së PBB, nuk pritet që rritja ekonomike vjetore 2019, të kalojë shifrën 3%, aq më tepër që në tremujorin e katërt pritet të reflektohen ndikimet negative të tërmetit të 26 nëntorit. Sipas Bankës së Shqipërisë “ecuria negative me të cilën ekonomia shqiptare është përballur gjatë 9 muajve të parë të 2019, pritet të vazhdojë me të njëjtën tendencë deri në përfundim të vitit”.
BSH thekson se “rreziqet ndaj ekonomisë janë në rritje dhe lidhen kryesisht me mjedisin e zymtë ekonomik në Europë. Ekonomia e Eurozonës vazhdon të ketë rritje të dobët dhe inflacion të ulët. Shqipëria, thellësisht e ndikuar nga shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja direkte, sigurisht që preket shumë prej të gjitha këtyre zhvillimeve”. Në këtë linjë është dhe parashikimi i institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore e FMN-ja.
Faktorët e kësaj situate janë të shumtë, ku ndër më kryesorët mund të përmendim : ndërtimi dhe aktivitetet financiare, sektori i ndërtimit është gjallëruar, aktivitetet financiare, projekti TAP dhe rritja e investimeve publike nga buxheti i shtetit, etj. Gjatë 2019 u shfaqën dhe dobësi në realizimin e të ardhurave në buxhet, veçanërisht kontributit të TVSH që në një farë mënyrë shpreh dinamikën e zhvillimit ekonomik të vendit, nivelin e produktivitetit dhe konsumit, ndërkohë, duke ju referuar dhe Bankës Botërore. “Zgjerimi i bazës së tatimpaguesve është gjëja e duhur për t’u bërë nëse duam të konsolidojmë financat publike”.
Por, pavarësisht ngadalësimit të PBB, gjatë 2019, Shqipëria shënoi ulje të papunësisë, madje me ritme më të larta se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka krijuar deri në Qershor të 2019-s 150 mijë vende pune më shumë se një vit më parë, 43 mijë prej të cilave kanë qene për të rinjtë dhe afro gjysma u krijuan në Shqipëri”.
Si i parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2020 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm (sidomos tërmeti 26 nëntorit) dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?
Viti 2020 pritet të jetë viti i sfidave të mëdha. Për të bërë një parashikim sa më realist, mendoj se faktorët e rritjes ekonomike për 2020 duhet t’i ndajmë në dy kategori: masat dhe politikat specifike, që kanë të bëjnë me përballimin dhe eliminimin e pasojave të tërmetit, në të cilat, përveç rindërtimit të banesave e pallateve të dëmtuara, që është objektivi primar i qeverisë, rëndësi ka edhe mënyra se si do përballohen dëmet që ka pësuar ekonomia, veçanërisht një kategori e caktuar biznesesh, shërbimesh, e specifikisht sektori turizmit; dhe së dyti, vazhdimi i disa reformave të rëndësishme që kanë të bëjnë me fiskalizimin, reduktimin e informalitetit, përmirësimin e klimës së biznesit, thithjen e IHD në kuadër të disa projekteve të mëdha me efekt të ndjeshëm në ekonomi, ecuria e PPP-ve të para dhe këto si investime të mëdha kryesisht në infrastrukturë, etj.
Duke pasur parasysh faturën shumë të lartë të dëmeve nga tërmeti, që nga dita në ditë po i afrohet shumës prej 700-800 milionë euro, mendoj se gjatë 2020 do të përballemi me një ekonomi të “plagosur” rëndë, që do kërkojë kohë të rimëkëmbet dhe të kthehet në gjendje normale që garanton rritje ekonomike. Shpresoj se përtej ndihmave të emergjencës, Konferenca e Donatorëve, që do mbahet në janar 2020, do ketë mundësi të mobilizojë një shumë të konsiderueshme fondesh, injektimi i të cilave në ekonominë shqiptare do këtë rezultat të menjëhershëm pozitiv në rritjen ekonomike për 2020.
Nga ana tjetër, mbeten mjaft pikëpyetje për performancën e turizmit si sektori me efekte shumë pozitive në PBB këto vitet e fundit. Durrësi dhe gjithë zonat përreth tij, janë zemra e turizmit shqiptar për nga masiviteti dhe kontributi në PBB, ndërkohë që rezultojnë dhe zonat më të prekura nga efektet e tërmetit.
Natyrisht që pritet një spostim i turizmit drejt Vlorës dhe Sarandës, por kjo nuk mund të rikuperojë efektet negative të tkurrjes së aktivitetit turistik në Durrës. Njëkohësisht, rezultate nën nivelin e potencialeve të tyre priten dhe në sektorin e industrisë me fason që “zemrën” e saj e ka të bazuar në zonën ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe Lezhës.
Në këtë këndvështrim, po të përfshijmë efektin e rëndësishëm, që ka në ekonomi klima dhe konfliktualiteti politik, që fatkeqësisht në Shqipëri vazhdon të jetë maksimalisht e tensionuar duke ndikuar negativisht në performancën ekonomike të vendit, mendoj se ecuria e 2020 pritet të japë një rritje ekonomike rreth nivelit 2.8-3.2%, ndërkohë që duke iu referuar dhe buxhetit të vitit 2020 të sapo miratuar, treguesit makroekonomikë të stabilitetit financiar dhe ekonomik duket se do jenë nën kontroll dhe brenda parashikimeve të PBA.
Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikbërësit dhe qytetarët shqiptare me 2020 ?
Sfida më e madhe mbetet përballimi i pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe veçanërisht plani i rindërtimit në të gjithë komponentët e tij: socialë, infrastrukturor, ekonomik e financiar. Besoj se kjo do jetë dhe vëmendja kryesore e politikës shqiptare gjatë vitit 2020. Elemente të tjera të rëndësishme mbetet menaxhimi dhe ecuria e angazhimit në kuadrin e marrëveshjeve të “Minishengenit Ballkanik”, efektet e të cilit, duke parë dhe interesin dhe pritshmëritë për të, të shfaqura nga BE, Banka Botërore, BERZH, etj., mund të kthehen në një faktor të rëndësishëm kontributi në ecurinë e ekonomisë sonë; menaxhimi efecient e transparent i kontributeve që pritet të vinë nga konferenca e donatorëve e muajit janar 2020; ruajtja e stabilitetit financiar e buxhetor të vendit, veçanërisht treguesit e borxhit publik dhe deficitit buxhetor; stabiliteti i qeverisjes dhe një performancë më e lartë në menaxhimin e investimeve publike dhe PPP-ve; vazhdimin e angazhimit maksimal në realizimin e “detyrave të shtëpisë” në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE; menaxhimi më i kujdesshëm dhe më një vëmendje të shuar i sektorit të turizmit dhe cilësisë së ofertës turistike të vendit, sidomos po të kemi parasysh goditjen e rëndë që mori ky sektor në fundvitin 2019.
Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik ) në periudhën afatmesme?
Mendoj se vëmendja kryesore në politikat tona ekonomike e zhvilluese në periudhën afat-mesme 2020-2025 duhet të përqendrohet në disa drejtime kryesore të tilla si : realizimin e disa reformave të rëndësishme strukturore, që kanë të bëjnë me rritjen e produktivitetit të ekonomisë sonë, me rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar, me përmirësimin e klimës së biznesit në tërësinë e saj, me uljen në minimum të ekonomisë informale; me zhvillimin me përparësi të sektorit të industrisë prodhuese e përpunuese; me zhvillimin e bujqësisë dhe agropërpunimit; me modernizimin e infrastrukturës dhe kulturës turistike të vendit. Shqipëria duhet ta kthejë më shumë vëmendjen drejt sektorëve me kapital cilësor, teknologji të lartë e inovative, drejt zgjerimit të start-up dhe ekonomisë dixhitale, shërbimeve bankare e financiare moderne të dixhitalizuara, etj.
Problem thelbësor mbetet cilësia e arsimit në përgjithësi dhe atij profesional në veçanti. Kemi ardhur në një moment delikat zhvillimi ekonomiko-social, kryefjala e të cilit mbetet “cilësia e kapitalit njerëzor”, të cilin fatkeqësisht e kemi të dobët dhe pa një impenjim radikal në drejtim të rritjes së financimeve për arsimin cilësor të brezave të rinj, zor se mund të shpresojmë në një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit.
/Monitor.