Nga nesër, ekipi i Tiranës do të nisë përgatitjet, me seancën e parë stërvitore në “Skënder Halili”. Është parashikuar vetëm një seancë për kryeqytetasit, teksa një ditë më pas bardheblutë do të nisen për fazën përgatitore në Turqi.
Klubi bardheblu, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ka publikuar axhendën e këtyre ditëve para se të rifillojë kampionati. Tirana do të qëndrojë për dy javë në Turqi dhe do luajë tri miqësore.
Ndeshja e parë do të jetë më datë 8 janar ndaj vendasve të Alanyaspor, skuadër kjo e Superligës në Turqi. Ndërkohë, pas tri ditëve bardheblutë do të sfidojnë ekipin hungarez të Mezokovezdi, i cili është në vendin e tretë në kampionatin përkatës.
Më 15 janar do jetë sfida e fundit ndaj polakëve të Korona Kielce. Tre kundërshtarë të vështirë dhe të niveleve të larta për Tiranën, megjithatë, këto minuta do t’iu shërbejnë kryeqytetasve për pjesën e dytë të sezonit.