Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar përmes një komunikate për media pas mbledhjes së kryesisë se do të bëjmë propozimin për mandatarin, pa treguar se kur do ta dërgojnë emrin te presidenti Hashim Thaçi.
Nga LV-ja kanë shkruar se kanë vendosur në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që të bëjnë propozimin me anë të shkresës zyrtare, ditëve në vijim.
“Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim”– thuhet në njoftimin e LV-së.
Në anën tjetër, sot do të përfundojë afati prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi njoftoi se i ka dhënë Kurtit pas takimit të së hënës. Nga LV-ja nuk kanë sqaruar se a do të bëjnë propozimin para kalimit të 48 orëve.