Ambasada shqiptare në Itali bëri një reagim zyrtar në lidhje me shpërthimin e Coronavirusit. Së pari ambasada thotë se deri më tani nuk ka asnjë shqiptar të konfirmuar si i prekur nga Coronavirusi. Megjithatë, ambasada u bën thirrje shqiptarëve për më shumë kujdes, duke respektuar masat e mbrojtjes nga ky virus.
Njoftimi i Ambasadës: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë si dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.
U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjences.
Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situatës. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari.