MENU
klinika

"Ekonomia në kolaps"

Basha pret drejtuesen e Misionit të Bankës Botërore

14.02.2020 - 13:34

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me Maryam Salim, Drejtuesen e Misionit të Bankës Botërore dhe ekipin e saj. Lideri i PD-së ka bërë me dije detaje nga takimi, ndërsa shkruan në Facebook se bashkë me Salim diskutuan mbi projektet e BB dhe ekonominë shqiptare, që sipas tij është e zhytur në kolaps.

“Sot zyrtarisht, 1 në 2 shqiptarë nuk plotëson kriteret minimale të mbijetesës. Konsumi është në minimumin historik. Rënia rekord e besimit në ekonomi nga qytetarët dhe biznesi e bën vitin 2020 akoma dhe më të vështirë se ai që lamë pas.

Shqetësimi kryesor është te rritja pa kriter e borxhit publik, rritja e detyrimeve të prapambetura me 600 milionë euro, kriza ekonomike dhe rreziqet nga aferat korruptive të maskuara si PPP dhe koncesione korruptive. Kjo e shoqëruar edhe me aferën e të ashtuquajturës Korporatë e Investimeve e kanë kthyer Shqipërinë në vendin me ekonominë më të rrezikuar në rajon.

Konfirmova angazhimin tim se për Partine Demokratike nuk ka betejë më të rëndësishme se lufta ndaj korrupsionit shtetëror, i cili po largon shqiptarët, po shkatërron ekonominë dhe po vret shpresën. Partia Demokratike është e angazhuar për ta ringritur ekonominë dhe rikthyer shpresën e besimin se vetëm me punë të ndershme e të drejtë, me konkurrencë të lirë, me taksa të ulëta do ta kalojmë këtë krizë e do të krijojmë mundësi punësimi e zhvillimi për çdo shqiptar”, shkruan Basha në mesazhin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN