Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do vonohen dhe nuk do ta neglizhojnë dialog me Serbinë, por që as nuk do nguten. Këto komente kreu i qeverisë i bëri gjatë vizitës që e bëri në komunën e Pejës, ku ka shkuar për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga erërat e forta.
Kurti po ashtu tha se prioritet tani kanë përgatitjen e buxhetit për vitin 2020, si dhe programin qeverisës.
“Ne në parim jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore, jemi për marrëdhënie të mira bilaterale në frymën evropiane jemi edhe për dialog parimor e të përgatitur mirë e për këtë gjë kemi takuar edhe përfaqësuesit politik e diplomatik nga perëndimi si nga Brukseli po ashtu edhe nga Washingtoni.
Në ditët në vijimë prioritet i qeverisë sonë është përgatitja e buxhetit 2020, është programi qeverisë që del nga marrëveshja e koalicionit dhe është plani dhe është plani i punës së qeverisë. Nuk e neglizhojmë dialogun, nuk duhet të vonohemi për dialog por nuk duhet as të ngutemi”– tha Kurti.
Ai ka komentuar edhe zgjedhën e ndërmjetësuesit sllovak të Bashkimit Evropian në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak duke thënë se edhe me të do të takohen dhe se në këto takime do të shpalosin qëndrimet e shtetit të Kosovës për të mbrojtur interesin nacional të vendit.
“Ne nuk mund të ndikojmë se kush zgjidhet në Bruksel dhe se çfarë emisarësh ata caktojnë ata për fasilitim apo ndërmjetësim por natyrisht që ne të gjithë ata i presim në takime ku shpalosim qëndrimet tona dhe mbrojmë interesin nacional të vendit tonë.
Do të kemi koordinimin edhe qeveritar edhe shtetëror duke përfshirë edhe opozitën në mënyrë që përfaqësimi ynë të jetë edhe dinjitoz edhe i fuqishëm edhe i suksesshëm. Ashtu siç e kemi takuar zotërinë Borrell kur ka ardhur në Prishtinë do ta takojmë edhe emisarin e tij, çoftë në Prishtinë apo Bruksel”– theksoi kryeministri i Kosovës.