Shpresa të përforcuara kanë shoqëruar publikimin këtë javë të metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, “Përmirësim i procesit të pranimit – Një perspektivë e besueshme e BE për Ballkanin Perëndimor.” Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, shpresojnë fort të hapen këtë pranverë negociatat e hyrjes së tyre në BE.
“Shqipëria mirëpret metodologjinë e rishikuar të zgjerimit dhe është e gatshme të vazhdojë reformat përmbajtësore për transformimin rrënjësor mbështetur në parimet e metodologjisë së re dhe pret çeljen e bisedimeve për anëtarësim brenda 2020”- deklaroi Gent Cakaj, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme. Që hapja e negociatave të ndodhë, metodologjia e rishikuar duhet t’i ketë dhënë Francës dhe vendeve të tjera skeptike, atë që kanë kërkuar me këmbëngulje vitin e kaluar kur refuzuan hapjen e negociatave, forcimin e shtetit ligjor.
Ardian Haҫkaj, drejtor për hulumtime në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe bashkë-autor i studimit “Shmangia nga rreziku i rënies në kurthin e një ushtrimi në letër: Pse vendet e BP kanë nevojë për një model zgjerimi të BE me në qendër zhvillimin njerëzor?” të publikuar ditët e fundit në Tiranë thotë për DW se metodologjia e rishikuar ia ka arritur të japë sa kanë kërkuar vendet skeptike.
“Franca dhe vendet e tjera skeptike morën atë që kishin kërkuar: rol më të madh të politikës që përkthehet në theks më të madh tek Sundimi i Ligjit dhe Funksionimi i Institucioneve, në zyrtarizimin e rolit të vendeve anëtare në të gjitha hallkat e procesit të zgjerimit dhe procedura më të detajuara për procesin e kthyeshmërisë për vende problematike”, thekson Ardian Haҫkaj për DW.
Refuzimi potencial, metodologjia nga “alla frenga” do rezultojë “alla turka”
Plotësimi i kërkesave të Francës dhe vendeve të tjera skeptike në metodologjinë e re mund të mos përligjë një refuzim potencial të rekomandimit të pritshëm të KE për hapjen këtë pranverë të negociatave të hyrjes në BE me Shqipërinë dhe MV. “Çdo refuzim i ardhshëm i vendeve anëtare të BE, bazuar mbi metodologjinë e rishikuar, do të sillte dështimin “de facto” të procesit të zgjerimit. Nga një metodologji “alla frënga” do të përfundonim në një zgjerim “alla turka”, thotë për DW, Ardian Haҫkaj, duke sjellë në vëmendje rastin e Turqisë.
Si mund ta rindezë BE motorin e zgjerimit?
Që të mos ndodhë kështu me vendet e Ballkanit Perëndimor, BE ka forcuar dy instrumentat: shtetin ligjor dhe kthyeshmërinë e procesit. Por këto në thelb nuk janë të reja në metodologjinë e rishikuar. “Gjithҫka ka qenë e mundur edhe më parë. Kur negociatat e pranimit ҫeleshin, kapitulli i sundimit të ligjit hapej i pari dhe mbyllej i fundit, vendet anëtare ndërhynin kudo ku ato dëshironin dhe rasti i Turqisë tregon që kthyeshmeria ka qenë e mundur dhe më parë. Ndryshimi, që besoj mund të ri-ndezë motorin e zgjerimit, është fokusi tek funksionimi i institucioneve si ҫështje fondamentale, vëmendja ndaj qeverisjes së mirë dhe connectivitetit /ndërlidhshmërisë), ku secili prej këtyre fokuseve shërben si element bashkues i një grupi kapitujsh. Në studimin tonë qeverisja e mirë dhe ndërlidhshmëria janë pikat kryesore ku BE mund të ndërhyjë me efikasitet në BP”- thekson për DW, Ardian Haҫkaj.
Zgjerimi në BP, në qendër zhvillimi njerëzor
Studimi “Shmangia nga rreziku i rënies në kurthin e një ushtrimi në letër: Pse vendet e BP kanë nevojë për një model zgjerimi të BE me në qendër zhvillimin njerëzor?” me kontribut edhe të Matteo Bonomit,nga Instituti Italian për Çështje Ndërkombëtare dhe Dušan Rejlić, nga Fondacioni gjerman “Shkenca dhe Politika.” (SWP, Stiftung Wissenschaft und Politik) me seli në Bruksel, sjell shifra dhe gjetje për të argumentuar modelin e zgjerimit që BE duhet të aplikojë në BP.
Tre bashkëautorët theksojnë se “sipas një vlerësimi të kohëve të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), rajonit të BP do t’i duhen 200 vjet që të arrijë mesataren e BE të Prodhimit të Brendshëm Brutto (Global Domestic Product, GDP) për frymë të popullsisë”. Kjo tregon, theksojnë autorët që vendet e BP në “martesën” e tanishme me BE nuk kanë qënë në gjendje të realizojnë një proces për t’u afruar më shpejt me Perëndimin. Ndërkohë që aftësia e shteteve të BP për të konverguar socio-ekonomikisht dhe politikisht me BE-në po dobësohet më tej, ndërsa situata politike vazhdon të përkeqësohet.”
Bazuar në këtë gjetje, studimi thekson se BE duhet të aplikojë në BP një model zgjerimi që duhet të ketë në qendër zhvillimin e kapitalit njerëzor, investimet dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Mangësi të metodologjisë së re
Ardian Haҫkaj thotë për DW se metodologjia e rishikuar e zgjerimit ka disa mangësi që mund të rrezikojnë rezultatin. “Nuk përmendet “kapja e shtetit”, “mungesa e vullnetit politik”, “migrimi” tre fenomene që kanë qenë në metodologjinë e 2018-s dhe kontribuojnë në entropinë e sistemeve të demokracisë liberale në Ballkan. Metodologjia mbështetet në ideologjinë e tregut dhe jo sa duhet në faktorin njeri.
Nuk është e qartë sesi shpërblehen vendet e BP që janë 100% në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të BE, kur është e qartë sesi inkurajohen me fonde shtesë vendet që përparojnë në reforma dhe politika sektoriale”, thotë për DW, Ardian Haҫkaj.