Më 31 janar, zgjedhja sovrane dhe demokratike e popullit britanik hyri në fuqi.
Brexit ndodhi; tani ka mbetur pas nesh. Përkundër gjithë dramës së muajve të kaluar, ne arritëm të gjenim së bashku një kompromis.
Tani na mbetet të rindërtojmë besimin e mjaftueshëm në partneritetin tonë për të krijuar një marrëdhënie ambicioze. Tani që Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE, ajo duhet të merret me një tjetër pushtet plotësisht sovran: Bashkimin Evropian. Tani që faza politike e Brexit ka mbaruar, qytetarët tanë, bizneset tona meritojnë një qasje më pragmatike.
Kur dëgjojmë që Boris Johnson të thotë se ai synon të “marrë kontrollin”, si duhet të përgjigjemi ne evropianët?
Ashtu si politikanët britanikë, përgjegjësia jonë si vendimmarrës publik evropian është të mbrojë qytetarët tanë. Afrimiteti ynë 47-vjeçar është, dhe do të mbetet, de fakto, një “marrëdhënie e veçantë”.
Me Brexit, Mbretëria e Bashkuar vendosi në mënyrë të njëanshme të tërhiqej nga tregu i vetëm dhe nga shumë politika të Bashkimit Evropian. Përsëri ishte zgjedhja e tyre, por kjo zgjedhje vjen me pasoja.
Si çdo marrëveshje e tregtisë së lirë midis partnerëve sovranë, marrëdhënia jonë e ardhshme duhet të jetë një ekuilibër i të drejtave dhe detyrimeve.
Kjo nuk është ideologjike. Qëllimi ynë nuk është të kufizojmë sovranitetin e Mbretërisë së Bashkuar. Qëllimi ynë është të ofrojmë konkurrencë të ndershme për kompanitë tona, veçanërisht në fushat fiskale, sociale, mjedisore dhe bujqësore.
Nëse duam ta arrijmë këtë së bashku, së pari nuk duhet nënvlerësuar unitetin tonë si evropianë sovranë. Unë nuk po ju drejtohem sot si një ministër francez, por si një evropian që shpreh një qëndrim evropian.
Mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje të drejtë është të merresh me BE-në në tërësi.
Po kështu, ne mendojmë se qëndrueshmëria është më e rëndësishme se afatet, dhe do të jemi shumë vigjilentë për përfshirjen e një mekanizmi të qeverisjes, për të zbutur çdo shkelje të mundshme në të ardhmen. Ne nuk do ta ulim nivelin e ambicies për të përmbushur një afat artificial.
Për evropianët, substanca është më e rëndësishme se afatet.
Tani e tutje, ajo që na duhet më shumë është besimi i ndërsjellë. Është parakusht për gjithçka tjetër. Për ne, një sinjal i rëndësishëm në muajt e ardhshëm do të jetë zbatimi i marrëveshjes së tërheqjes, përfshirë të drejtat e qytetarëve, protokollin e Irlandës Veriore dhe kontrollet efektive në Detin Irlandez.
Ne po flasim për një traktat ndërkombëtar: Unë dyshoj se Mbretëria e Bashkuar do t’i përmbushë angazhimet e saj.
Ne francezët jemi ndër fqinjët tuaj më të afërt evropianë. Kjo “marrëdhënie e veçantë” duhet marrë si një mundësi për të ndërtuar partneritetin në Mbretërinë e Bashkuar-BE.
Historia jonë e përbashkët tregon sa mund të arrijnë të dy kombet tona kur punojmë së bashku.
Amélie de Montchalin është sekretarja e shtetit të Francës për çështjet evropiane.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al