MENU
klinika

Steinbeck

Jeta është si një gjueti thesari pa hartë…

27.02.2020 - 16:58

       “Ta jetosh çdo ditë, thjesht dhe vetëm çdo ditë”, –  shprehej dikur një nga romancierët më të mëdhenj të shekullit të njëzet dhe përfaqësues i natyralizmit amerikan, i cili lindi më 27 shkurt të vitit 1902. John Ernst Steinbeck Jr. ishte ndër shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të frytshëm amerikanë të shekullit XX, një eksponent i “Gjeneratës së humbur”. Ka botuar disa romane, tregime të shkurtra dhe novela, të cilat kanë frymëzuar artistë të shumtë, vepra që tregojnë historinë e jetës provinciale amerikane, larg shkëlqimeve të metropolit dhe në krizë të vazhdueshme ekonomike dhe sociale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore për një periudhë kohore ka qenë reporter lufte. Në 1962 u laureua me çmimin “Nobel” për letërsi  “për shkrimet e tij realiste dhe imagjinare, duke ndërthurur humorin e ndjeshëm dhe perceptimin e mprehtë shoqëror”. Në 1964, Presidenti Lyndon Johnson i dha “Medaljen Presidenciale të Lirisë”./Konica.al

“Zotit të panjohur”, romani “profetik” që e merr titullin nga fjalimi që Shën Pali mban në Areopagun e Athinës, tregon historinë e një fermeri, Joseph Wayne, i cili la fermën në Vermont dhe u transferua me vëllezërit e tij në Kaliforni. Megjithatë, ajo çfarë ndodh në “tokën e premtuar” është e pashpjegueshme: një seri ngjarjesh dramatike pasuan njëra-tjetrën, deri në vdekjen e bashkëshortes së re Elizabeth. Pas vajtimit tragjik, Jozefi shndërrohet në një njeri të vrazhdë e të pafe dhe ndërsa përpiqet të vazhdojë jetën e tij të punës, ai e gjen veten përballë një thatësire ​​shkatërruese. I bindur të takojë një prift në qytet, për të kërkuar ndihmë hyjnore, Wayne e gjen veten përballë një refuzimi të papranueshëm: jo shiu, por jeta e njeriut ka rëndësi. Kthehet në fermën e tij dhe tenton të presë venat, sikur donte të sakrifikonte veten për diçka më të mirë. Dhe ndërsa jeta braktis trupin e tij, një shi shpëtues fillon të bjerë mbi trupin dhe tokën e tij. Ndonjëherë jeta ka arsyet e saj, të cilat arsyeja nuk i njeh. “Ka gjëra që nuk mund të shikohen në dritën e arsyes, por ato janë ashtu siç janë” na fton të mos dëshpërohemi, të tregohemi të përulur dhe t’i pranojmë ashtu siç janë ato që nuk jemi në gjendje t’i ndryshojmë: ka gjëra që varen nga angazhimi dhe veprimet tona, por ka edhe gjëra që nuk janë në dorën tonë, na dalin jashtë kontrollit dhe s’na mbetet veçse të tregohemi të durueshëm. Sa herë që i rezistojmë tundimit për të ndërhyrë domosdoshmërisht, për të testuar talentin tonë ose për t’u dukur, ne shmangim dhimbjet dhe dështimet e panevojshme që nuk na mësojnë asgjë. Sidoqoftë, nuk është e parëndësishme të kesh modestinë të dish të bësh dallimin e thjeshtë. Në një shoqëri ku gjithçka duket se varet nga ne dhe angazhimi ynë, ku suksesi ndërtohet vetëm me përkushtim dhe kohë të marrë nga gjumi, apo aktivitete të tjera njerëzore, është e vështirë të braktisim tendencën e kontrollit, për ta lënë të lirë menaxhimin dhe ankthin e performancës./Konica.al

Jeta është si një gjueti thesari, hartën e së cilit nuk e kemi. E vetmja gjë që mbetet për të bërë është të mbështetemi në jetën, në atë që ne nuk dimë ose nuk jemi në gjendje ta shpjegojmë. Sfida fitohet vetëm duke mos hequr dorë nga shpresa. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi të sigurt, se herët a vonë thesari do të gjendet. Siç shkruante Steinbeck në letrën drejtuar birit të tij Thom: “gjëja e rëndësishme është të mos ngutesh, sepse gjërat e mira nuk ikin”.

John Steinbeck shkroi një sërë librash, përfshi “Në lindje të Edenit”, “Njerëz dhe minj”, “Rruga me fabrikat”, “Vilet e zemërimit”, “Margaritari”. Shumë nga veprat e tij u kthyen në filma të suksesshëm si “Në Lindje të Edenit” etj.

Fama e Steinbeck mbështetet kryesisht në romanet natyraliste me tema proletare që i shkroi në vitet ’30-të. Pikërisht në këto vepra bie në sy ndërtimi i strukturave të pasura simbolike dhe orvatjet e tij për përçimin e cilësive mitopike dhe arketipike, duke bërë që personazhet të jenë më pranë reales./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al