MENU
klinika

Disidentja sypatrembur

Musine Kokalari, gruaja që kundërshtoi komunizmin

10.02.2020 - 13:18

Më 10 shkurt, të vitit 1917, lindi shkrimtarja dhe disidentja e parë shqiptare, Musine Kokalari. Jeta e saj, si intelektuale dhe kundër reformave të socializmit, do të ishte një kalvar i gjatë mudimesh e mohimesh të vlerave të rralla që ajo përfaqësonte. Vlerat e saj si shkrimtare dhe demokrate, do të rehabilitoheshin vetëm pas ardhjes së demokracisë. Musineja, me gjithë stërmundimet, kishte luftuar dhe shpresuar për një Shqipëri të lirë dhe demokrate dhe revoltën e saj, do të guxonte ta pasqyronte pa frikë në të gjithë krijimtarinë e spikatur letrare.

Ditën e fundit të vitit 1972, në prag të vitit të ri, në kasollen e saj të mjeruar në Rrëshen, Musine Kokalari hedh në ditarin e saj disa përsiatje për jetën e një punëtori në socializëm, sidomos të punëtorëve si ajo, që edhe pse e quanin në punë “të lirë” (pra jo e burgosur), përditë përballej me përbuzjen, lodhjen e tmerrshme fizike, varfërinë kulturore e shpirtërore me të cilën rrethanat e jetës në internim e përballnin çdo ditë.

Ja çfarë shkruan ajo në ditarin e saj, publikuar nga “Muzeu Kokalari”:

 

Rrëshen, 31 Dhjetor 1972

Njëmbëdhjetë vjet pune “të lirë” në ndërtim kanë qenë për mua një zhgënjim, po të krahasohet me superioritetin e organizimit, intensitetin dhe rendimentin më të lartë të punës së detyruar të të burgosurve. Sa i fortë është një brigadier i “lirë” dhe sa abuzime bën! Sa e vërtit punëtorin e shkrete, kur ky merr guximin ta kundërshtojë. Sa lekë ha ai duke mos punuar, sa ditë shkruan jo për vete, por edhe për atë që e mbron dhe ka leverdi. Ai është një qehaja që vjedh punëtorët dhe shtetin, një tiran i vogël që ia helmon jetën përditë punëtorit, një nga diktatorët e vegjël të këtij shteti që e krijoi.

Punëtori është i pandihmuar dhe varet nga një brigadier dhe nga një teknik, që e paguan si dhe sa t’i pëlqeje. Punon me orë të zgjatura dhe kur kthehet ne shtëpi, nuk ka fuqi të rrijë në këmbë. Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi, po punëtori mbetet gjithmonë në fund , si në dituri, ashtu dhe në pagesë…, i mbyllur brenda katër mureve të ndërmarrjes. Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes. Punëtori i krahut vuan për një moskuptim nga inteligjenca e shtëpive të kulturës.

Këtë njoha dhe ky është realiteti. Dhe po të mos kisha kaluar këtë rrugë, unë do ta quaja veten se kisha bërë një punë kushedi sa me rëndësi, po të merresha me letërsi. Talenti dhe kultura duan vërtet studim dhe punë të lodhshme, por ama punëtori i bujqësisë, i minierave, i ndërtimit, bëjnë punën më të rëndë. Ata luftojnë çdo ditë me kolektivin dhe me vetveten, me lodhjen e me pafuqinë. Bashkë me të gjitha këto, ka edhe familje për të mbajtur, ka fëmijë për të rritur…

Le ta mbyllim vitin 1972 me këto shënime. Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në kurriz të punëtorit, sa mbetet ai i pakulturuar dhe sa pak interesim ka inteligjenca, e cila bën reportazhe, shkruan romane, por asgjë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij.

***

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917 në Adale të Turqisë, ndërsa në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do të vendosej në Tiranë.

Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë, “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943 kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.

Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë, “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit, “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981 sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

Çastet e fundit të jetës

Në dorëshkrimin, “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”

Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhej të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç’fat tragjik”, shkruan ajo. “Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”

E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?

Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”

Titulli origjinal: “Musine Kokalari: Tmerrësisht e vështirë jeta e punëtorit në socializëm”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN