Buxheti i shtetit do të paguaj rreth 1.4 milionë euro për të nxjerrë familje në nevojë nga skema e ndihmës ekonomike përgjatë periudhës 2020-2022. Përmes një urdhrit të posaçëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të Ministrisë së Financave, përcaktohet plani i masave për zbatimin e programit të daljes nga skema e ndihmës ekonomike, dhe qëllim final është integrimi i individëve dhe anëtarëve në moshë pune, në tregun e punës.
Por ajo që vihet re, është se në planin e masave, më së shumti kostot janë për saktësimin e të dhënave për punëkërkuesit e papunë, përfitues të ndihmës ekonomike, përgatitjen e kuadrit ligjor për zbatimin e programit të daljes nga skema; Monitorimin dhe implementimi i programit të daljes nga skema NE, që lidhet më së shumti me trajnimet e stafit, raportet, analiza, ndërgjegjësimin dhe informimin e publikut, etj.
Masat e pasqyruara nuk përfshijnë iniciativa konkrete se çfarë hapash do të ndiqen për këta individë, nëse do të trajnohen dhe për sa kohë, në cilat zanate dhe sa kohë do t’u duhet për tu integruar në tregun e punës.