“Porosia e SHBA nuk ka qënë asnjëherë më e qartë sa tani se është e domosdoshme që Prishtina të heqë takën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”- ka deklaruar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, duke shtuar se atë porosi, përveç të dërguarit speciale të presidentit Trump, Richard Grenellit, e kanë dërguar edhe komisionari për zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, sikurse edhe Josep Borrell, shefi i ri i diplomacisë së BE.
Në televizionin serb, Bërnabiçi tha se Albin Kurti, kur nuk ishte kryeministër i Kosovës ka folur ndryshe dhe ka vlerësuar se tani ai ka përgjegjësi tjera. “Tjetër përgjegjësi keni kur jeni në opozitë, e tjetër kur jeni direkt përgjegjës për raportet e Prishtinës dhe SHBA-së”- tha Bërnabiçi, duke shtuar se shpreson që taksa do të hiqet.
“Kjo është e shkëlqyeshme për serbët në Kosovë e Metohi, e mirë për tërë rajonin sepse vendimi për t’i dhënë kombësi biskotave dhe qumështit do të tërhiqet. Ky është një sinjal i mirë për të ardhmen”- tha kryeministrja serbe.
Sipas saj, heqja e takës është e shkëlqyeshme edhe për të gjithë të tjerët në Kosovë, edhe për shqiptarët të cilët, siç tha ajo, “e paguan shtrenjtë atë vendim politik”, ndërsa shtoi se atë çmim po e paguajnë edhe sot dhe “do të vazhdojnë ta paguajnë derisa nuk tërhiqen këto masa”.
Duke folur për reciprocitetin që e ka përmendur kryeministri Kurti në mënyrë që të hiqet taksa, Bërnabiçi thotë se nuk është e sigurt se për çfarë reciprociteti flet.
“Politika e Qeverisë së Serbisë është shumë e qartë, nuk ka zona gri, ne kërkojmë respektimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kërkojmë respektim të marrëveshjes CEFTA, s’ka këtu paqartësi”- shtoi Bërnabiçi. Kryeministri Kurti ka deklaruar se Kosova do ta heqë taksën ndaj mallrave serbe, por do të imponojë reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.