Vendimet dhe veprimet gjeopolitike që ne po shohim sot tregojnë urgjencën me të cilën Bashkimi Evropian duhet të gjejë vendin e vet në një botë të tillë. Ne, evropianët duhet të strukturojmë mendimet, për ta parë botën ashtu siç është, jo siç shpresuam se do të ishte.
Kjo është bota e konkurrencës gjeostrategjike. Për të mos qenë humbës, në garën e sotme SHBA-Kinë, duhet të flasim sërish “gjuhën e pushtetit”, dhe ta shohim Evropën si një aktor të nivelit të lartë gjeostrategjik.
Mund të duket e vështirë të përballesh me këtë sfidë.
Si do të përballet Evropa me këtë botë të re? Shumë thonë që politika e jashtme e BE-së kurrë nuk do të ketë sukses, sepse Evropa është shumë e dobët dhe shumë e përçarë.
Është, natyrisht, e vërtetë që ndonjëherë, ne biem dakord vetëm për të shprehur shqetësimet tona, por jo për atë që do të bëjmë në lidhje me të.
Diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka veprime konkrete, por veç fjalë. Nëse duam që armëpushimi “i brishtë” në Libi të zgjasë, duhet të mbështesim embargon e armëve. Nëse duam që marrëveshja bërthamore e Iranit “të mbijetojë”, ne duhet të sigurohemi që edhe Irani të përfitojë prej saj. Nëse duam paqe midis izraelitëve dhe palestinezëve, duhet të jemi të vendosur për një zgjidhje të negociuar nga të gjitha palët, bazuar tek ligji ndërkombëtar.
Në këto dhe fusha të tjera, vendet anëtare duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.
Përtej zgjidhjes së krizave në “lagjen” e Evropës, ekzistojnë dy prioritete të tjera kryesore.
Së pari, BE duhet të krijojë një strategji të re, për Afrikën dhe me Afrikën, kontinentin tonë motër. Ne duhet të mendojmë dhe të përdorim politikat tona lidhur me tregtinë, inovacionin, ndryshimin e klimës, sigurinë në internet,, investimet dhe migracionin, për t’i “dhënë jetë” retorikës sonë për të qenë partnerë të barabartë.
Së dyti, duhet të marrim seriozisht krijimin e strategjive për t’u marrë me aktorët e sotëm strategjikë global: Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia.
Përgjigja jonë sigurisht duhet të mbrojë vlerat, interesat dhe parimet e BE-së.
Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë, dhe jo të gjitha do të arrihen këtë vit.
Por betejat politike fitohen ose humben, në varësi të mënyrës së krijimit të tyre.
Ky duhet të jetë viti që Evropa t’i shmanget fatit të të qenurit lojtar në kërkim të identitetit.
Josep Borrell është Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al