MENU
klinika

“Mbyllur në shtëpi”

Në Lombardi, ku shqiptarët i frikësohen koronavirusit

24.02.2020 - 21:33

“Jemi mbyllur në shtëpi sepse kemi frikë,” thotë një nënë shqiptare në Itali, e cila normalisht është tepër e frikësuar për veten dhe familjen. Sela jeton dhe punon Bergamo, në rajonin e Lombardisë. Ajo tregon për Gazetën “Si” se në atë zonë është e mbyllur gjithçka prej tre ditësh, ndërkohë që qeveria ka ngritur çadra emergjence për produkte ushqimore.

Sipas saj të gjithë njerëzit kanë vrapuar duke boshatisur supermarketet ditë më parë, pasi kanë qenë shumë të frikësuar dhe kanë menduar paraprakisht të mbyllen në shtëpi, pa udhëzimin e qeverisë. E gjithë zona e Lombardisë është izoluar. Nuk lejohet hyrja dhe dalja e banorëve, ndërsa komisioneri i jashtëzakonshëm i emergjencës në Itali, Angelo Borrelli deklaroi se vetëm në këtë rajon numri i të infektuarve me koronavirus ka qenë të paktën 165, deri të hënën paradite. Sela tregon për gazetën se, duke qenë se Italia është cilësuar si vendi i tretë më i madh në botë për numrin e të infektuarve me koronavirus, pas Kinës dhe Koresë së Jugut, ka bërë që të jenë të frikësuar dhe të ndjekin çdo udhëzim të qeverisë.

“Disa specialistë këtu kanë thënë se edhe maskat nuk janë të sigurta. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është rrimë në shtëpi e mos të kemi kontakt me njerëzit jashtë dhe të përpiqemi të mos qëndrojmë në ambiente me shumë njerëz. Fëmijët nuk i kam çuar në kopsht që kur morëm vesh se virusi erdhi edhe në Itali sepse kisha frikë. Ja, si kaloi pak kohë e sot kemi 4 të vdekur. Është e tmerrshme,” rrëfen Sela, e cila qëndron vetëm në shtëpi me tre fëmijët e saj. Ajo tregon se autoritetet italiane tashmë janë të alarmuara dhe po veprojnë me shpejtësi, duke u përpjekur të kenë nën kontrroll sa më shumë jetën e qytetarëve. Gjatë gjithë kohës ka mjekë specialistë që flasin në televizione dhe kërkojnë nga qytetarët që të deklarojnë çdo shqetësim shëndetësor që kanë.

“Ky është një proces që po bëhet tani, por disa mjekë italianë thonë se duhet të ishin marrë të njëjtat masa të forta edhe më parë. Ata janë shprehur se virusi ka qenë kaq shumë prezent që në janar edhe në Itali,” shprehet ajo. Këtë panik të qytetarëve e konfirmon edhe Artia Satka, e cila është infermiere në zonën e Venetos. Ajo tregon shkurtimisht për gazetën “Si” se është i shumtë numri i telefonatave nga qytetarët që kërkojnë informacione, kryesisht mbi higjienën dhe të sjellurin në të tilla raste.

“Banorët e zonës ku punoj janë shumë të shqetësuar dhe kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë nëse nuk ndjehen mirë. Koronavirusi dhe vdekjet që ndodhën këtu tek ne na kanë shqetësuar të gjithëve, pavarësisht se personeli mjekësor ku unë bëj pjesë, është gjatë gjithë kohës në gatishmëri. Ne nuk po bëjmë pushim,” tregon infermierja e cila është në detyrë edhe në momentet që flet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


COVIZ-19 "paralizon" qytetet

CNBC/ Zbrazen marketet në Itali

Ja vendimi drakstik i SHBA dhe Australisë

259 të vdekur nga Koronavirus /SHBA: Kërcënim i paprecedentë