Bill Gates sigurisht që mund t’i bëjë dhuratë vetes çfarëdolloj makine që dëshiron. Megjithatë, së fundmi bashkëthemeluesi i Microsoft tha se bleu një Porsche të ri, makinën elektrike “Porsche Taycan”, e cila ndezi një sërë diskutimesh në Twitter, me CEO-n e Teslës, Elon Musk, i cili e quajti bashkëbisedimin më të fundit të tij me Gates, si “nënçmues”.
Në fakt, Porsche prezantoi modelin e vet Taycan, makinën e parë sportive elektrike të kompanisë gjermane të automjeteve luksoze, si një konkurrent me flotën e makinave elektrike të Teslës.
Makina elektrike e Porsche vjen me një çmim fillestar prej 150.900 dollarë për Taycan Turbo, i cili është edhe më i lartë se çmimi fillestar 100.000 dollarë për modelin S të makinës elektrike të rivalit Tesla.
Porsche Taycan përmban një paketë baterie litium-jon me 93 kilovat për orë që fuqizon motorin elektrik të dyfishtë, i cili lejon që makina të shkojë nga 0 në 100 kilometër për orë. Për krahasim, Tesla Model S mund të shkojë nga 0 në 100 kilometra për orë në 2.5 sekonda.
Taycan Turbo mund të përshkojë 320 kilometra me një karikim të plotë, krahasuar me modelin Tesla S, e cila përshkon 560 kilometra, me karikim të plotë. Ashtu siç edhe Tesla S, në brendësinë e saj, Taycan është pa lëkurë, e veshur me materiale të riciklueshme, që sipas Porsche shërben për të forcuar konceptin e makinës sportive elektrike.
Porsche Taycan, ka gjithashtu një ekran me touch prej 10.9 inç, që përfshin një funksion kontrolli nëpërmjet zërit.
Megjithatë, në një kohë që reagimi i Elon Musk për bashkëthemeluesin e Microsoft, për zgjedhjen e bërë nga rivali i Teslës nuk ishte dhe aq entuziast, Gates, gjatë intervistës së tij ka komplimentuar Teslën duke thënë se është një kompani që po ndihmon në drejtimin e automjeteve dhe në ngritjen e makinave elektrike, duke i bërë më të përballueshme.
Sidoqoftë, kur vjen puna për të zgjedhur se çfarë makine do të blejë, Bill Gates ka zgjedhur Porsche – si një brand që e njeh mirë. Miliarderi ka blerë në të kaluarën shumë makina të brandit Porsche, përfshirë Porsche 911, një model që Gates e bleu në 1979, kur sapo kishte filluar të “vilte frytet” e Microsoft. Më vonë, Bill Gates mori Porsche 930 Turbo dhe po ashtu një model të rrallë të makinave sportive, Porsche 959, nga e cila u prodhuan vetëm disa modele.