Presidenti i Partisë Socialiste Europiane Sergei Stanishev ka përshëndetur sot Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste duke siguruar për angazhimin dhe mbështetjen e kësaj familje politike për hapjen e bisedimeve dhe integrimin europian.
Stanishev iu shprehu keqardhjen shqiptarëve për tërmetin duke përsëritur sloganin e maxhorancës ‘nuk jeni vetëm’.
“Të nderuar miq është kënaqësi për mua të jem në këtë kongres dhe të përshëndes në emër të socialistë-demokratëve tanë. Çdo kongres është sigurisht për anëtarët e partisë një festë e madhe.
Unë mund të deklaroj se e njoh partinë tuaj prej shumë vitesh. Kam qenë këtu kur ishit në opozitë dhe luftonit me regjimin e Berishës dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu tani që jeni në qeveri.
Në fakt, jam i sigurt që PS është e fortë dhe i ka rrënjët mjaft thellë në shoqëri. Është një parti që ka gjithmonë një reflektim, një autokritikë për gjithçka që nuk është asnjëherë e kënaqur dhe do të arrijë objektiva më të larta për vete dhe për qytetarët.
Jam i bindur që do ta shfrytëzoni këtë kongres për të parë rrugëtimin në të ardhmen. Do doja të shprehja keqardhjen dhe për popullit shqiptar dhe ata që pësuan humbje gjatë tërmetit.
Do doja mbi të gjitha që t’ju drejtohesha atyre që kanë pësuar humbje, do t’i kushtoja një homazh pop shqiptar për qëndresën gjatë tërmetit dhe solidaritetin.
Është e rëndësishme të kuptoni se nuk jeni vetëm dhe se ka një solidaritet ndërkombëtar, sidomos europian dhe do doja t’i referohesha konferencës së donatorëve e cila në një kohë mjaft të shkurtër mblodhi një shumë mbresëlënëse.
Jam besimplotë që qeverisë e drejtuar nga Edi Rama do ta drejtojë procesin në mënyrë efikase e transparente”, deklaroi Stanishev.
Sa i përket negociatave ai e cilësoi të gabuar vendimin e tetorit për shtyrjen e tyre. Një vlerësim ishte për lidershipin shqiptar dhe për marrëdhëniet në fqinjësi.
“Do doja që të shprehja mbështetjen e PSE sa i përket negociatave me BE, ne jemi për hapjen sa më shpejt të jetë mundur. Shtyrja e vendimit në tetor, ishte një vendim i gabuar politik.
Dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë mjaft progres, në reformat e gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe në përgatitjen e vendit në procesin e integrimit. Jeni treguar mjaft të qartë dhe në angazhimin tuaj në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Ne historikisht kemi pasur një rajon të vështirë e me konflikte dhe natyrisht me shumë plagë e humbje dhe kjo është arsyeja që është shumë e rëndësishme që palët të kalojnë të shkuarën dhe të shohin nga e ardhmja dhe këtë kanë bërë dhe dy liderët në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut duke mos ngritur mure por duke ngritur ura.”, deklaroi Stanishev.
Ai theksoi se BE duhet të jetë i besueshëm, për sa kohë keni bërë pjesën tuaj të detyrave dhe BE duhet të bëjë pjesën e tij të detyrave.
“Në fakt KE sapo ka prezantuar metodologjinë e re të zgjerimit dhe është diçka që e mirëpritëm mjaft sepse kjo do ndryshojë dhe qëndrimin e disa vendeve që kanë qenë kundër hapjes së negociatave. Na duhet të bëjmë punë, na pret punë përpara si PSE dhe duhet të përdorim ndikimin tonë për ta çuar përpara këtë proces. PSE së shpejti do të mbajë një takim të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në prag të samitit të majit.
Do të kem mjaft kënaqësi të takoj liderin tuaj, kryeministrin Edi Rama në këtë takim dhe gjithashtu të shihni qartë angazhimin e këtyre vendeve për integrimin europian.
Procesi i integrimit nuk është një proces i lehtë, kërkon përpjekje të tjera, jo vetëm dialog të brendshëm por edhe me shtetet anëtare të BE dhe ne ofrojmë eksperiencën tonë.
Shpresoj fort që shumë shpejt të kemi arsye për të festuar së bashku. Mund të mbështeteni tek angazhimi i plotë i yni si familje politike për t’ju mbështetur”, tha Presidenti i PSE.
Ai deklaroi se integrimi europian nuk është një objektiv në vetvete por një instrument për ta bërë më të mirë jetën e njerëzve dhe kjo është treguar dhe nga partia juaj.
“Sepse bota në të cilën jetojmë ndryshon shumë shpejt dhe në momentin që jemi kënaqur me atë që kemi arritur mbetemi pas”, u shpreh ai.
Stanishev foli dhe për fushatën e vitit të ardhshëm.
“Mendoj që kongresi juaj do të jetë një stimul për partinë tuaj për zgjedhjet e 2021. Kjo ka të bëjë me të gjithë atë çfarë duhet bërë për të krijuar stabilitet, zhvillim prosperitet për jetën e shqiptarëve dhe kjo është pjesë e axhendës suaj. Nuk duhet të keni iluzione se kjo fushatë do të jetë e lehtë. Po, ju jeni një parti e fortë, më e fortë se opozita por prisni që do të sulmoheni në çdo fazë. Jam besimplotë që ju do ta ndërtoni këtë të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Ju uroj fushatë të mbarë edhe pse nuk ka filluar ende, por çdo ditë është fushatë, bëjeni mirë që të mund të përmirësoni jetën e shqiptarëve”, deklaroi ai.