Qeveria shqiptare iu jep 1 milion dollarë spitaleve për të shtuar mjetet mbrojtëse në prag të një epidemie të coronavirusit COVID-19.
Pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rialokojë një fond shtesë prej 1 milion dollarë buxhetit të spitaleve, që do të shkojë për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale.
Ky fond shtesë shërben vetëm për qëllimin e sipërpërmendur të rritjes së stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat tona spitalore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale, për të përballuar situatën.
Ministria e Shëndetësisë siguron se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID 19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët se do të ofrojë informacione të përditshme, ashtu siç ka bërë deri më tani, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut.