Ikona e arbitrimit Italian dhe atij botëror, Pierluigi Collina, para pak ditësh festoi dje 60-vjetorin e lindjes. Tani si President i Komisionit të Arbitrave në FIFA, ai rrëfen gjithë karrierën e tij.
Ai ka drejtuar shumë finale, ku spikasin ajo e Champions-it e vitit 1999 (Bayern Munchen – Manchester United 1-2) dhe finalja e Botërorit 2002, ku Brazili mundi 2-0 Gjermaninë.
Por për “ish-bilbilin” jeta nuk ka qenë gjithmonë e bukur jashtë fushës, pasi ndaj tij nuk kanë munguar edhe kërcënimet me jetë, aq sa për një periudhë kohe u detyrua të lëvizë me eskortë. Më poshtë është intervisa për “Gazzetta dello Sport”.
Colina, 60 vite jetë tashmë…
Jeta kalon shpejt, por vetëm në rastet kur bën atë që të jep më shumë kënaqësi. Si në rastin tim.
Si ndiheshit si numri një i arbitrave në botë?
Shumë mirë, por pritshmëritë ishin gjithmonë shumë të larta. Nuk mund të merrje një ditë pushim. Dua të them, që kurrë nuk mund të lejoja dhe t’i thosha vetes: “Ej, sot edhe nëse impenjohem pak më pak, rezultati do të jetë i njëjtë”.
Sepse përndryshe, siç më ka ndodhur mua, të mërkurën arbitrova Manchester United – Real Madrid në Champions, ndërsa të dielën e pashë veten duke gjykuar një ndeshje të Serie B. Gjithsesi, për mua impenjimi ishte gjithmonë i njëjtë.
Kur ia thatë vetes se “sot do të bëhem arbitër”?
Ndoshta në ditën që më bënë komplimentin e parë: “Je i zoti”. E vërteta është se në moshën 17-vjeçare, kur e nisa këtë gjë, nuk isha i bindur as në veten time për hapin që po merrja. Por me kalimin e ndeshjeve kuptova që cilësitë i kisha dhe më pas për mua u bë një sfidë personale.
Kush ishte i pari që ju tha “Jeni i zoti”?
Shumë, por i pari në absolut ishte presidenti i seksionit të arbitrave të Bologna-s, Piani.
Në mos gabojmë luanit edhe futboll, si stoper, përpara mbrojtjes…
Po të kisha qenë i zoti do të kisha vazhduar ta bëja. Ndonëse jam dëfryer edhe duke luajtur.
Një ditë, një dramë e vogël ju preku: ju ranë të gjitha flokët. Ju duk sikur ju ra qielli mbi kokë?
Jo, sepse në atë periudhë, shoku im më i ngushtë, bënte kimioterapi dhe ishim njësoj. Fatkeqësisht, ai nuk e fitoi betejën me jetën, ndërsa unë nga kjo ngjarje nisa dhe kuptova realisht vlerën e gjërave.
Tregohuni i sinqertë: Ju ndihmoi pamja juaj për të fituar popullaritet?
Nëse nuk do të kisha pasur cilësi në arbitrim, nuk dua ta mendoj se me çfarë mund të isha përballur. Por duke qenë pa flokë, por edhe i zoti, kjo më shërbeu si trampolinë në sensin pozitiv.
Si duhet të jetë një arbitër? Një ditë kujtojmë se keni thënë: “Një gjyqtar nuk duhet të jetë një person i urtë dhe i mençur, por paksa i çmendur”…
Them i zgjuar, në sensin që një arbitër nuk mund t’i lejojë vetes të reflektojë shumë, përpara se të vendosë. Ndërsa ajo që në përditësi është impulsivitet, për arbitrin është zotësi. Dhe nëse kthej kokën pas, pak çmenduri nga ana ime më shërbeu shumë.
VAR-i ndihmon në vendimmarrje më të shpejtë?
Arbitri duhet të vendosë, sikur teknologjia të mos ekzistonte. Objektivi është që arbitri të mos ketë nevojë për të, sepse kështu shpërblen edhe përgatitjen e bërë ndër vite. Pastaj, ai e di se ekziston edhe një parashutë që mund të korrigjojë gabimin, ndonëse gabimi gjithsesi mbetet. Ndoshta ju gazetarët mund ta harroni, por ai që ka detyrën të gjykojë arbitrat jo.
Ju vjen keq që keni arbitruar pa VAR?
Në periudhën time nuk ekzistonin as 40 kamerat në stadiume…
Mund t’ju quajmë një perfeksionist?
Dikush më ka thënë edhe maniak. Sepse përpara ndeshjes, kisha shumë nevojë për tensionin maksimal pozitiv.
Keni studiuar edhe shumë…
Kam menduar gjithmonë se një arbitër duhet të studiojë edhe taktikën e lojës dhe lojtarët që do të ketë përballë në ndeshjen e radhës. Në kohën time kjo zgjedhje ishte me dëshirë, ndërsa sot është taktikë e punës, e përgatitjes.
Çfarë marrëdhënieje keni me Zotin?
Shumë pozitive. Një ndeshje e mbrapshtë nuk mund të justifikojë të kundërtën e besimit.
Ju nervozonin kritikat?
Uhhhh… Pa fund!
Edhe nëse kritikat ishin të drejta?
Sigurisht. Por të paktën këto ishin stimul për t’u përmirësuar.
Sa e rëndësishme është familja në punën e arbitrit?
Të thuash shumë e rëndësishme është banale. Çështja është që për të qenë i qetë në ato 90 minuta poshtë projektorëve, duhet që çdo detaj në familje të funksionojë.
Unë i jam borxhli bashkëshortes sime, e cila i ka edukuar siç duhet vajzat Francesca dhe Carolina, sidomos në periudhën që unë kam qenë shumë shpesh larg familjes. Kur më lindi vajza e dytë, isha duke arbitruar në Cagliari…
Tani jeni bërë gjysh…
Po, dopiogjysh, pasi Francesca pret edhe fëmijën e dytë.
Basketboll apo futboll?
Futbolli është punë, ndërsa basketi dëfrim. Në Bologna, sporti kryesor është basketi. Madje, të dielën, kur vajza ime dhe i fejuari i saj po shihnin derbin e Milanos, në të njëjtën kohë luante edhe Pistoia – Regio Emilia në basket. Dhe unë e kisha njërin sy te derbi, tjetrin te basketi. Por nëse Fortitudo (ekip basketbolli) ka ndeshje, unë shndërrohem në një ultras shumë stresues.
Nëse njëkohësisht luhet finalja e një Botërori në futboll dhe finalja olimpike e basketbollit, cilën zgjidhni?
Shoh futbollin, por ndërkohë do regjistroj atë të basketbollit. Në fillim puna, pastaj qejfi…
Kush kanë qenë modelet e tua të arbitrave?
Agnolli ka qenë një pikë referimi, për mënyrën si qëndronte në fushë dhe prezencën skenike. Një tjetër ka qenë suedezi Fredrikson, të cilin e ndoqa në Botërorin “Italia ’90”.
Po pas jush?
Shumë të zotë. Nuk është e rëndësishme të më ngjasonin mua, pasi ndryshimi e shton cilësinë.
Lojtari më i edukuar dhe ai më pak i edukuar që keni arbitruar?
Nuk bëj emra, sepse në moshën 60-vjeçare për mua është diçka shumë e bukur që i takoj të dyja këto palë dhe që të dyja kanë shumë respekt për mua. Kjo është fitorja ime.
Ka diçka që nuk do donit ta ribënit?
Jo, do bëja gjithçka. Sigurisht, kam gabuar dhe e pranoj. Por kjo ka ndodhur jo sepse nuk kam dhënë maksimumin tim. Vetëm në këtë rast do kisha pasur pengje.
Jeni tifoz i Lazios?
U rrita në Bologna dhe ishte normale që të bëja tifo për kuqeblutë. Në moshën 14- vjeçare më pëlqente Pino Wilson dhe për Lazion kampione të Italisë të asaj periudhe, i cili luante si organizator përpara mbrojtjes dhe unë mundohesha ta imitoja në fushë.
Gjithsesi, nuk e kisha fare idenë që do përfundoja të bëja arbitrin. Dhe po e them hapur edhe këtë: Si ka mundësi që të vendosësh të bësh futbollistin, arbitrin apo gazetarin nëse nuk je tifoz?!
Kjo gjë nuk ndodh, por gjithmonë duhet të jesh profesionist dhe puna duhet bërë gjithmonë mirë. Madje nëse doni, m’u dha të arbitroja sfidën Bolonja-Parma, në qytetin tim, sfida e mbijetesës për Serinë A.
Bologna humbi dhe zbriti një kategori më poshtë, ndërsa Lazio nën gjykimin tim mori fitoren e parë në ndeshjen e 10- të me mua. Madje, e dini një pyetje që nuk e kuptoja?
Cila ishte?
Më pyesnin: Preferon të shohësh Italinë në finale, apo të arbitroja unë një finale Botërori? Unë jam krenar që jam italian, por gjithmonë përgjigjesha: “Do doja ta arbitroja unë një finale”. Fundja, ky do të ishte shpërblimi i punës sime.
Është më e vështirë të jesh arbitër, apo shefi i arbitrave?
Si arbitër je padron i fatit tënd. Ndërsa si trajner arbitrash fatin tim e kanë në dorë të tjerët.
Keni marrë kërcënime gjatë karrierës?
Kush mendon se të jetosh me eskortë ishte një status që simbolizonte peshën time si shtetas italian, për një profesion të caktuar që bëja, unë di të them se ato 7 muaj nën eskortë kanë qenë më të frikshmet dhe të tmerrshmet për mua dhe familjen time.
Jeni i djathtë apo i majtë?
I djathtë, gjithmonë! Giorga Melloni mendoj se do të ishte një lidere e zonja.
Finalja e Champions-it 1999. United përmbysi brenda minutës së 90-të nga 0-1 në 2-1 kundër Bayern-it. Çfarë ju kalonte nëpër kokë?
Në momentin e 1-1 i thashë vetes: “Booo, edhe 30 minuta…”, duke qenë se kisha frikë se shtesat mund të vinin në diskutim punën e mirë që kisha bërë për 90 minuta. Por ende pa e çuar deri në fund mendimin tim erdhi goli i 2-1…
Po lojtari që ju ka mahnitur më shumë në fushë?
Kam qenë me fat sepse kam arbitruar shumë futbollistë të pabesueshëm. Por nëse duhej të zgjidhja një, do të thosha Ronaldo da Lima.
Kam një kujtim shumë të bukur nga finalja e vitit 2002 dhe e kam ende bluzën e Ronaldos, me erën e djersës së tij. Përveç Ronaldos, mund të them edhe Beckham, Maldini, ndonëse pengu më i madh i karrierës ishte ai që nuk kam arbitruar më të madhin, Maradonën.