Një takim i shkurtër, por me tone mjaft të ashpra mësohet të ketë qenë biseda e djeshme mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe liderit demokrat Lulzim Basha në Presidencë. Idenë për të thirrur në tubim qytetarët më 2 mars, Meta e ka pasur të qartë para se të dilte këtë të mërkurë në konferencë për ta bërë publike. Presidenti i ka kërkuar Bashës mbështetje në këtë aksion të tij kundër qeverisë për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Dhe jo vetëm mbështetje politike, siç kryedemokrati Basha i dha dje publikisht pas takimit me aleatët, por angazhim konkret duke siguruar qytetarë për të dalë në bulevard përpara kryeministrisë.
“Dua nga ty 10 mijë njerëz”, i është drejtuar në zyrën e tij Meta Bashës, siç cituan burimet konfidenciale. Dje kreu i shtetit trazoi sërish ujërat e politikës shqiptare ku përmes takimit me Bashën, kërkoi të përhapë në radhët e opozitës jashtëparlamentare, idenë e një grushti shtet nga ana e qeverisë. Burime nga ky takim, saktësojnë se nga ana e kryeopozitarit pati dilema dhe hezitim për t’i dhënë mbështetje Presidentit për nisjen e reagimi politik sërish me protesta, por megjithatë, u la të kuptohet qartazi refuzimi qoftë edhe me heshtje përballë toneve të larta nga ana e presidentit. Basha tha dje se do të ketë rotacion politik për të sjellë në pushtet opozitën e bashkuar, por me mjete demokratike. Basha ka argumentuar se do të qëndrojë “besnik” i kompromisit të arritur për reformën zgjedhore, e cila pritet të miratohet me konsensus nga parlamenti brenda 15 marsit.
“Porosinë” e presidentit, kryedemokrati Basha e përçoi tek aleatët e tij, mes të cilëve edhe kryeataren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ku publikisht doli me qëndrimin e njëjtë si Meta, se PO, qeveria po organizon një grusht shteti, jo të formës me tanke e ushtri, por me tentativat sipas tyre, për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Pika që i ndan, janë mjetet me të cilat do ta luftojnë këtë grusht shteti. Meta tha se e ka thirru popullin, për të ‘shpartalluar me dekrete” grushtin e shtetit, (pa specifikuar mënyrën si do ta bëjë konkretisht këtë, por duke lënë të kuptuar shpërndarjen e parlamentit), ndërsa Basha me mjete demokratike (duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave), përmes dëgjimit dhe bashkimit të qytetarëve në një zë.
“Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët. Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj ata dhe pas kësaj do të shpalosim ofertën tonë. Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit, për hir të këtyre familjarëve, fëmijëve të tyre, duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët.”, u shpreh Basha. Kjo ‘luftë’ e re politike mes Metës dhe mazhorancës nisi pas miratimit nga Kuvendi të ligjit që i heq presidentit kompetencën e betimit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pritet të shihet nëse ditët në vijim, deri më 2 mars do të ketë ndonjë qëndrim surprizë të opozitës joparlamentare, për t’iu bashkuar tubimit të presidentit.
Burime nga Policia e Tiranës, thanë për Shqiptarja.com se deri në këto momente pranë policisë nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare nga presidenca për tubim më 2 mars, përveç thirrjes publike të Metës. Megjithatë – thanë burimet – leja për tubim nuk do të jepet, në kushtet kur vendi është ende në gjendje emergjente deri më 31 mars 2020 për shkak të tërmetit fatkeq të 26 nëntorit 2019. Megjithatë, siç historia e tubimeve ka treguar, edhe kjo protestë pritet të zhvillohet pa e pasur lejen nga autoritetet, dhe policia pritet sërish të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
Kujtojmë që në datë 8 dhjetor të vitit të kaluar Presidenti bëri tentativën e parë për të zbritur në shesh në Qytet Studenti, në atë që e cilësoi si tubimin mbarëpopullor për referendumin, por në 3 dhjetor e anuloi për shkak të tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Sipas ligjit, në kushtet e gjendjes së emergjencës nuk lejohen tubimet.