MENU
klinika

Viktima u arrestua për një portofol

U vetëflijua në burgun ‘313’, zbardhet dinamika e ngjarjes

22.02.2020 - 13:29

Zbardhet dinamika e ngjarjes së arrestimit të Bilbil Hasanit, i cili u vetëflijua më orët e para të mëngjesit të djeshëm në paraburgimin e “313-ës”.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, gjë që është pranuar edhe nga gjykata. Gjyqtari që ka vendosur “arrest me burg” ka qenë Ardian Kalia. Ndërkohë, pas zhvillimit të seancës paraprake është vendosur kalimi i çështjes për gjykim.

Më datë 09 dhjetor 2019 Bilbil Hasani është arrestuar për veprën penale të vjedhjes. Në orën 10:00 të datës 08 dhjetor të vitit të kaluar 43-vjeçari është kapur në flagrancë nga Policia e Patrullës së Përgjithshme, pasi shtetasi Arjan Deda e ka kallëzuar Hasanin se i kishte vjedhur portofolin teksa ishin në autobusin e linjës së Stacionit të Trenit. Deda po shkonte tek Tregu Industrial së bashku me bashkëshorten dhe teksa urbani ka qëndruar tek stacioni përball restorant “Durrësi”, shtetasi Bilbil Hasani ka futur dorën në xhepin e Dedës dhe ka vjedhur portofolin, brenda të cilit kishte 15.200 lekë dhe dokumente të tjera.

Pasi ka konstatuar këtë fakt, Arjan Deda është vënë në ndjekje të autorit, i cili në vrap e sipër e ka hedhur portofolin dhe pak më tutje Bilbil Hasani është kapur në flagrancë nga Deda, i cili ka njoftuar policinë dhe në ndihmë i ka ardhur edhe një shtetas tjetër dhe e kanë mbajtur 43-vjeçarin derisa ka ardhur policia. Portofolin e ka marrë bashkëshortja e Dedës.