MENU
klinika

Ekspertët parashikojnë...

Çfarë do t’i ndodhë botës pas koronavirusit?!

17.03.2020 - 21:05

Udhëheqësit populistë e kanë ngritur kapitalin politik mbi gjendjen e shtresës më të pasigurtë. Nëse ekziston një anë pozitive, është fakti se ekspertët kanë një mundësi për të rifituar besimin e publikut.

Nga Raghuram G. Rajan

Pandemia e koronavirusit e ka zënë botën në befasi dhe do të ekspozojë dobësitë themelore ekonomike, kudo që ato ndodhen. Por kriza na kujton gjithashtu se jetojmë në një botë thellësisht të ndërlidhur. Nëse ka ndonjë anë pozitive të pandemisë, është mundësia kaq shumë e nevojshme e rivendosjes së dialogut publik me vëmendje te shtesat më të prekura në shoqëri, në nevojën për bashkëpunim global si dhe në rëndësinë e udhëheqjes nga profesionistët dhe ekspertiza. Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, një krizë e kësaj magnitude mund të shkaktojë të paktën dy lloje tronditjesh ekonomike.

E para është tronditja e prodhimit për shkak të prishjes së zinxhirëve globalë të furnizimit. Pezullimi i prodhimit të produkteve bazike farmaceutike në Kinë ndërpret prodhimin e medikamenteve xhenerike në Indi, e cila redukton si pasojë dërgesat e ilaçeve drejt Shteteve të Bashkuara. Tronditja e dytë lidhet me kërkesën; ndërsa njerëzit dhe qeveritë ndërmarrin hapa për të ngadalësuar shpërndarjen e koronavirusit, shpenzimet për restorante, qendra tregtare apo destinacione turistike shemben.Ekziston gjithashtu një mundësi e tronditjeve indirekte, të tilla si rënia e çmimit të naftës si pasojë e dështimit të dakordësisë mes Rusisë dhe Arabisë Saudite për ulje të kordinuara të prodhimit.

Ndërsa këto dhe tronditje të tjera përhapen, bizneset e vogla dhe mesatare mund të detyrohen të mbyllen, duke sjellë largime nga puna, humbje të besimit të konsumatorëve dhe një reduktim të mëtejshëm të konsumit dhe kërkesës agregate. Për më tepër, entitete me shumë fuqi (prodhuesit e energjisë në SHBA, ofruesit e shërbimeve në vendet në zhvillim) mund të sjellin humbje edhe më të mëdha në sistemin ekonomik global. Kjo do të zvogëlonte likuiditetin dhe kreditë si dhe një shtrëngim dramatik të kushteve financiare, të cilat kanë qenë deri më tani në mbështetje të rritjes ekonomike. Parada e mundësive të tmerrshme mund të vazhdojë. Një pikë tjetër e rëndësishme për t’u mbajtur mend është fakti se ekonomia botërore nuk u rimëkëmb asnjëherë plotësisht nga kriza globale e vitit 2008, ndërkohë që problemet themelore që e shkaktuan atë nuk u adresuan asnjëherë plotësisht. Në të kundërt, qeveritë, bizneset dhe familjet në të gjithë botën kanë grumbulluar më shumë borxhe, ndërsa politikëbërësit kanë minuar besimin në tregtinë botërore dhe sistemin e investimeve.

Por edhe pse bota e nisi me një dorë të dobët, përgjigja jonë ndaj krizës së COVID-19 mund të ishte shumë herë më e mirë nga sa është. Detyra e menjëhershme është reduktimi i përhapjes së virusit përmes testimeve masive, karantinave rigoroze dhe disancimit social. Vendet e zhvilluara janë të mirëpozicionuara për të zbatuar këto masa; e megjithatë Italia është mposhtur nga epidemia, ndërsa përgjigja e Shteteve të Bashkuara nuk ka frymëzuar besim. Duke parë përpara, sa kohë që koronavirusi nuk zhduket plotësisht, ai mund të rikthehet e madje mund të bëhet një ndërprerje sezonale. Nëse një mjekim efektiv nuk zbulohet shpejt (medikamenti i Gilead, Remdesivir jep aktualisht të dhëna premtuese), të gjitha vendet do të gjenden përballë zgjedhjes së mbylljes së tyre totale ose nxitjes për një përpjekje globale për zhdukjen e virusit.

Ndërsa varianti i parë është i pamundur, i dytë duket si zgjedhje natyrale. Por do të kërkonte një shkallë udhëheqjeje dhe bashkëpunimi global që mungon jashtëzakonisht shumë. Presidenca e G20 mbahet aktualisht nga Arabia Saudite, e përfshirë në mosmarrëveshje të brendshme dhe të jashtme, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Donal Trump e ka hedhur poshtë aksionin shumëpalësh që nga fillimi.

Megjithatë, disa vende kyçe mund të arrijnë shumë nëse ngrihen për të udhëhequr një aksion global, përfshi edhe bindjen e shumë shteteve për vlerën e bashkëpunimit. Për shembull, shtete të cilat kanë qenë relativisht të suksesshme në menaxhimin e epidemisë, si Kina apo Koreja e Jugut, të cilat mund të ndajnë me të tjerët praktikat e mira. E ndërsa shtetet individuale e vendosin koronavirusin nën kontroll brenda kufinjve të tyre, ata mund të dërgojnë në vendet që kanë më shumë nevojë burimet e kursyera në personel mjekësor, aparatura oksigjeni, teste, maska dhe gjëra të ngjashme. Për më tepër, Kina dhe Shtetet e Bashkuara munden më në fund që të shtyhen në heqjen e tarifave të rritura së fundmi si dhe në shpërndarjen e kërcënimeve të reja si në rastin e makinave. Ndërsa një ulje e përkohshme e tarifave do të ndikonte pak në rritjen e investimeve ndërkufitare, të paktën do të ofronte një nxitje për tregtinë. Për më tepër, një marrëveshje do të përmirësonte klimën e biznesit për rimëkëmbjen pas pandemisë.

Brenda vendeve, detyra parësore pas zbatimit të masave për parandalimin e virusit është mbështetja për njerëzit që ushqehen nga ekonomia informale, mbijetesa e të cilëve do të vihet në rrezik nga karantina apo distancimi social. Shtresat ekonomikisht më vulnerabël kanë gjithashtu akses më të ulët në shërbimin mjekësor. Prandaj qeveritë duhet minimalisht të garantojnë transferimin e parave për këta individë –ose për të gjithë, nëse popullsia vulnerabël është e vështirë për t’u identifikuar –po aq sa mbulimin e shpenzimeve për trajtimin e koronavirusit. Ngjashëm, një moratorium mbi pagesat e disa taksave mund të jetë i domosdoshëm për të mbajtur në këmbë bizneset e vogla dhe të mesme, siç do të ishin garancitë e pjesshme të huasë dhe masa të tjera që do të mundësonin rrjedhën e parasë. Në vendet e zhvilluara veçanërisht, pandemia do të tregojë së shpejti se sa njerëz i janë bashkuar radhëve të prekariatit në vitet e fundit. Kjo fashë përfshin të rinjtë e lëkundur po aq sa shumë prej njerëzve që jetojnë në vende të lëna pas dore.

Sipas përkufizimit, anëtarët e prekariatit kanë mungesë të aftësive ose edukimit të nevojshëm për të siguruar punë të qëndrueshme me të ardhura të mira dhe si të tillë, kanë pak rol në sistem. Ndihma financiare do t’u jepte atyre mesazhin se sistemi ende kujdeset për ta. Por sigurisht, shumë më tepër duhet bërë për të zgjeruar sigurinë sociale dhe mundësitë tek personat e margjinalizuar ekonomikisht. Partitë dhe liderët populistë e kanë ngritur kapitalin e tyre politik mbi prekariatin, por ata kanë dështuar në mbajtjen e premtimeve –edhe në vendet ku ata janë sot në pushtet.

Pandemia mund të krijojë një rreshtim të artë edhe në këtë drejtim. Qeveritë që kanë minuar agjencitë për përgatitjen e fatkeqësive dhe protokollet e paralajmërimeve të hershme po zbulojnë tani se në fund të fundit, kanë nevojë për profesionistë dhe ekspertë. COVID-19 ishte i shpejtë në ekspozimin e amatorizmit dhe paaftësisë. Nëse profesionistët lejohen që të bëjnë punën e tyre, ata mund të rikthejnë besimin e humbur të publikut tek estabilishmenti. Në arenën politike, një estabilishment më i besueshëm dhe profesional do të kenë mundësinë që të shtyjë përpara politika të ndjeshme për të adresuar problemet me të cilat përballet shtresat e pasigurta, pa vënë në përdorim luftën e klasave.

Por këto mundësi nuk do të zgjasin pafund. Nëse profesionistët nuk arrijnë të përfitojnë prej tyre, pandemia nuk do të ofrojë asgjë pozitive –vetëm më shumë frikë, ndarje, kaos dhe mjerim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Letra e mjekut italian po bën xhiron e rrjetit

“Fëmijë, mos kini frikë nga koronavirusi!”


Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!