MENU
klinika

A ekziston vërtet "pacienti 0"?

Cili ishte njeriu i parë në botë që përhapi VIRUSIN?

22.03.2020 - 12:14

          Pandemia e fundit, na njohu me një term jo shumë të dëgjuar: “pacienti zero”. Sipas specialistëve, ai supozohet apo dihet të ketë sjellë një infeksion në një komunitet, zonë, apo vend të caktuar. /Konica.al     

Por, si lindi ky term dhe si mori kuptimin që ka sot?

Kanadezi Gaetan Dugas, është i pari “pacient zero” në histori. Emri i tij është i lidhur me historinë e përhapjes së AIDS dhe studimeve të para të këtij virusi, në fillim të viteve ’80-të. Dugas punonte si stjuard, në linjat ajrore të viteve ’70-të. Asokohe, udhëtimi me avion ishte krejt ndryshe nga sot. Njerëzit pinin alkool dhe cigare në bord, ndërkohë që liria seksuale ishte mënyrë jetese. Dugas i shfaqte me krenari preferencat e tij homoseksuale dhe kishte pafund, histori të tilla me pasagjerët.

Nga kjo jetë e shthurur, ai u infektua më 1980-ën nga SIDA, që në atë kohë nuk njihej thuajse fare. Konsiderohej një sëmundje misterioze e pakuptueshme dhe në zhargonin e komunitetit të atëhershëm, quhej “kanceri misterioz i homoseksualëve”.

Më 1982, një hetues në Qendrën për Parashikimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, filloi të hetonte përhapjen e kësaj sëmundje misterioze në Kaliforni dhe më tej, në të gjithë Amerikën. Shumë shpejt, ai kontaktoi dhe intervistoi Dugasin, që ishte një nga homseksualët më të njohur në komunitetin gej. Dugas i tregoi studiuesit, se kishte pasur më shumë se 750 partnerë të ndryshëm, në tri vjet.

Shkencëtari mori kontaktet e 72 prej partnerëve të tij, që ishin banorë të Kalifornisë dhe e botoi studimin në vitin 198, në të njëjtin muaj që Dugas vdiq nga SIDA. Ky studim bëri që stjuardi nga Kanadaja, të cilësohej si shkaktar i një epidemie që ka vrarë mbi 700,000 njerëz në Amerikën e Veriut dhe gjithçka nisi me një gabim në lexim.

Në studimin e tij, Dugas ishte quajtur Pacienti O – ku shkronja “O” nënkuptonte se vinte nga jashtë Kalifornisë (out-of-California), pra, etiketimi i tij ishte pacienti-nga-jashtë-Kalifronsië. Por, shkronja “O” u lexua gabimisht, si zero.

Kështu Dugas u pagëzua ‘pacienti zero’ dhe u interpretua si i sëmuri i parë. Pra, ai që e solli dhe përhapi virusin HIV-SIDA në Kaliforni dhe në Amerikë. Kjo gjë u përforcua nga një nga librat e parë mbi epideminë HIV, shkruar nga një gazetar San Fançisko. Ai, jo vetëm shkroi, padrejtësisht, se Dugas ishte i pari që solli sëmundjen në Kaliforni, por e akuzonte atë, se kishte infektuar të tjerët me dashje.

Libri u pasua me një lumë “lajmesh të rreme”, që u bënë “virale”, përpara se ai që kishte bërë studimin, të mund t’i mbushte mendjen spekuluesve, se Dugas nuk kishte shumë lidhje me rastet e zbuluara në Kaliforni.

Në vitin 2006, kur shkencëtarët studiuan mostrat e ruajtura të gjakut të tij, u vërtetua se virusi që i mori jetën Dugasit, nuk lidhej me atë të njerëzve përreth tij.

Në fakt, virusi HIV qarkullonte në Amerikën Veriore, të paktën prej vitit 1970 dhe se periudha e inkubacionit ishte tri-katër herë më e gjatë, se periudha mes kontakteve seksuale të Dugasit me ata që u akuzua se kishte infektuar.

Ajo që mbeti pa ndryshuar, ishte emërtimi “Pacientit 0”, që përdoret edhe sot, për të infektuarin e parë në çdo epidemi infektive.