MENU
klinika

Konfirmohen 3 rastet nga Korça

COVID 19/ Shqipëria shënon 89 të prekur, vetëm sot 13 raste të reja

22.03.2020 - 11:44

“Tre pacientët e parë lënë spitalin, por shkon në 43 numri i të shtruarve në Infektiv. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri. Në vijim të komunikimit të përditshëm më Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 33 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19: 8 qytetarë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe 3 qytetarë nga Korça.

Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 89 raste.
Nga totali i rasteve të konfirmuara, 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra. Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitive është 48 vjeç. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
•Tiranë-63 qytetarë
•Durrës-6 qytetarë
•Lushnje-2 qytetarë
•Elbasan-2 qytetarë
•Fier-8 qytetarë
•Rrogozhinë-2 qytetarë
•Kavajë-3 qytetarë
•Korçë-3 qytetarë

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete. Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.

Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë. 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç. Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.

Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127! Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Menaxheri i një lokali dhe çifti i të moshuarve

Tre të dyshuar më koronavirus në Korçë


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin