Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Shtëpinë e Bardhë u është prezantuar drafti i marrëveshjes finale. Nga burime që kanë qenë pjesë e këtyre takimeve, është mësuar se marrëveshja ka dy opsione: korrigjimin e kufijve ose Asociacion Plus, me kërkesa të veçanta nga ana e Serbisë, opsion i cili, është i preferuari i ndërmjetësuesve amerikanë.
Periskopi, ekskluzivisht ka mësuar edhe detaje të tjera nga takimi në Washington, mes të cilave, edhe ai që kjo fazë bisedimesh do të jetë dinamike, e ngjashme me atë të Rambujesë, ku palëve u janë ofruar vetëm dy opsione, apo “merre ose lëre”, që është e kundërta e negociatave në Vjenë që kanë zgjatur rreth dy vjet… Korrigjim kufijsh ose Asociacion Plus. Këto janë dy opsionet që janë ofruar, në takimin e para dy ditësh në Washington, në takimin mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Po këto burime njoftojnë se veç tjerash, Serbisë nuk i është kërkuar të ndalet fushata e çnjohjeve deri në muajin qershor të këtij viti. Po ashtu, pikërisht ky muaj, pra qershori i këtij viti, është edhe afati përfundimtar për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Formati i bisedimeve për marrëveshjen përfundimtare, do të jetë në nivel presidentësh me ekipe që ata do t’i përzgjedhin vetë. Palëve u është ofruar edhe mundësia e takimit me Presidentin amerikan Donald Trump, mirëpo kjo është shtyer deri në periudhën kur mund të ketë përafrim për marrëveshjen mes të dy palëve.
Thaçit dhe Vuçiçit u është thënë se “palëve që nuk janë të gatshme të nënshkruajnë, do të kenë sanksione të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media ku ka njoftuar për këtë takim, ka thënë se “takimi në Shtëpinë e Bardhë është një kthesë kritike dhe dramatike”. Ai ka thënë se “Amerika e ka marrë përfundimisht në dorë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë’ dhe që “kërkon të përmbyllet në afat të shkurtër”.