Lajmi u përhap si zjarr i egër në mëngjesin e së premtes së kaluar. “Erdogan hap kufijtë për refugjatët për në Bullgari dhe Greqi”. Disa dhjetëra mijëra njerëz, që qenë strehuar në Turqi për vite me radhë, mblodhën plaçkat dhe hipën me autobusë ose ecën drejt kufirit, ku tani presin në të ftohtë në anën turke. Ishte e qartë se BE nuk e priste këtë hap. Erdogani i ka përdorur shpesh refugjatët si mjet presioni për të kujtuar përgjegjësit në Bruksel për marrëveshjen e refugjatëve. Marrëveshja përmbante që BE do të vërë në dispozicion rreth gjashtë miliardë euro mbështetje financiare. Turqia duhet të kujdesej që të parandalohet migrimi i paligjshëm në Evropë. Me pak fjalë: merrini paratë në mënyrë që refugjatët të furnizohen në Turqi dhe askush të mos kalojë më dot kufijtë e Evropës.
Nuk ka më besim te marrëveshja
Sidoqoftë, nga pagesa e premtuar në Ankara mbërritën më pak se 3.2 miliardë euro. Heqja e premtuar e vizave për qytetarët turq është ende larg. Tani lind pyetja: pse e gjithë kjo? Pse nuk dërgohen paratë? Pse nuk hiqen vizat? Pse duhet të paguhet e gjitha në kurriz të refugjatëve? Thjesht: Erdogan nuk i beson më BE. Besimi është konsumuar. Atë e injorojnë në Bashkimin Evropian. Në fakt, kjo prek refugjatët. Ata duhet të vuajnë për shkak të lojërave të pushtetit të politikanëve. Edhe një herë. Në një telefonatë drejtuar kancelares Merkel, kreu i shtetit turk kërkon “ndarje të drejtë”. Dhe me zor duhet të pajtohemi me Erdoganin. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë folur asnjëherë me të njëjtën gjuhë që nga viti 2015 në lidhje me krizën e refugjatëve. As Hungaria, as Republika Çeke e as Polonia.
As një prej këtyre vendeve nuk ka pranuar një numër përkatës refugjatësh dhe të lehtësojë Turqinë ose Gjermaninë. E pse ta bënin këtë? Turqia duhet të qetësohet me para. Po Gjermania? Kancelarja e ka vetë fajin për hapjen e kufijve për qindra mijëra refugjatët e verës së vitit 2015. Por jo, kaq e thjeshtë nuk është. Të treguarit human në politikë nuk duhet të kthehet në bumerang negativ. Të gjithë ata që pretendojnë se janë evropianë duhet të veprojnë së bashku. Edhe Greqia e Italia kanë nevojë për ndihmë. Situata, qoftë në Lesbos apo Lampedusa, nuk duhet ta lërë indiferent askënd.
“Këtu nuk hyni dot”
Dhe për t’i bërë gjërat më keq, Turqia dhe Greqia tani po përgatiten për një betejë propagande mediatike. Zëdhënësi i qeverisë Greke Stelios Petsas shkruan në twitter se kufitarët grekë nuk hapin zjarr kundër refugjatëve.
Por fakt është se midis kufitarëve nga pala greke dhe refugjatëve në kufirin greko-turk prej ditësh ka trazira. Forcat greke të sigurisë në mënyrë të përsëritur kanë përdorur granata verbuese dhe gaz lotsjellës për t’i sprapsur njerëzit. Më tej në jug të Egjeut, midis Lesbos greke dhe Ayvacik të Turqisë, Roja Bregdetare Greke spraps varkat me refugjatë, madje qëllon edhe me municion luftarak, për t’i ndaluar ata të arrijnë në tokën greke. Fyerjet nga pala greke: “Largohuni. Merrini fëmijët dhe kthehuni pas!” Janë këto pamje që të habisin. Por pala turke ndjek të njëjtën linjë propagandistike. Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu pretendoi dy ditë më parë se më shumë se 100.000 refugjatë kishin kaluar kufirin me Greqinë.
Dhe nacionalistët turq që tani po gëzohen që të shpëtojnë refugjatët. “Shpresojmë se të mos ketë më kthim!”, shkroi në twitter një këngëtare e njohur turke. Sa për të ardhur keq! E gjitha është pjesë e taktikës së Erdoganit, të cilën ai e ndjek prej vitesh. Të tjerët e kanë gjithmonë fajin, në mënyrë që problemet e politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme të shihen si të parëndësishme nga popullata. Sidoqoftë, nuk sjell dobi të ushtrohet presion edhe më tej ndaj presidentit turk, siç kanë kërkuar disa politikanë federalë. Sepse shtrohet pyetja: i ç’natyre duhet të jetë presioni? Ekonomike? Politike? Erdogan tani po përdor çdo mjet – edhe po të përsëris veten: në kurriz të refugjatëve. Qëllimi i tij është ta përfshijë BE në luftën e tij në Siri. Që BE ta ndjekë këtë dëshirë të Erdoganit, kjo është, siè shpresojmë, më shumë se e pamundur.
Erkan Arikan, Deutsche Welle