Elon Musk ka zbuluar propozimet për një nga planet më ambicioze të tij deri më sot – fluturime ndërkontinentale me raketë për pasagjerë që do të zgjasin më pak se gjysmë ore.
Sipërmarrësi miliarder tha se anija kozmike BFR, e prezantuar nga kompania e tij SpaceX, do të jetë në gjendje të fluturojë në shumicën e vendeve të botës në më pak se 30 minuta dhe kudo në botë për vetëm një orë.
Raketa do të kishte një shpejtësi maksimale prej 27,000km për orë, duke mundësuar kështu fluturime mijëra kilometrash në vetëm 22 minuta, transmeton Gazeta Express.
BFR është një anije kozmike e re për të cilën Musk thotë se do të jetë në gjendje të udhëtojë edhe për në Mars – dhe e cila pritet të lansohet për herë të parë më 2022 para se të kolonizohet planeti më 2024.
Megjithatë, ai tha se nuk ka asnjë arsye pse kjo raketë nuk do të duhej të udhëtonte në lokacione të ndryshme në Tokë. SpaceX thotë se kjo raketë mund të fluturojë nga Hong Kongu në Singapor në vetëm 22 minuta, Nju Jork në Londër për 29 minuta dhe Sidnej në Londër për 51 minuta.