Përhapja e Coronavirusit në Europë ka detyruar edhe një tjetër kampionat të fortë të dorëzohet. Pas Italisë dhe Spanjës, edhe Franca ka zyrtarizuar pezullimin e Ligue 1 dhe Ligue 2 deri në një njoftim të dytë.
Situata në Francë është kthyer në emergjente dhe qeveria e vendit po mbyll gati gjithçka, teksa shkollat do të rihapen më 20 prill. Rastet e konfirmuara me Coronavirus janë mbi 2800, ndërsa kanë vdekur mbi 60 njerëz.
Kështu, futbolli thotë francez zyrtarisht STOP. Në fakt, kjo pritej të ndodhte. Pasi u shty ndeshja e kampionatit fundjavën e kaluar mes PSG dhe Strasbourg apo zhvillimi takimit të Champions League mes PSG dhe Dortmund pa praninë e tifozëve, duke parë edhe intensitetin e përhapjes së virusit ditët e fundit, pezullimi i kampionatit ishte çështje orësh.
Klubet kanë nisur të hartojnë programe të veçanta për futbollistët pas qëndrimit në shtëpi, përpos lajmërimit të kujdesit. Nuk ka ende një datë se kur do të rinisin garat futbollistike në Francë, por për të paktën dy javë pezullim kjo është e sigurtë.