MENU
klinika

Pritet lajmërimi edhe për Euro 2020

UEFA vendos për Champions dhe Europa League

13.03.2020 - 12:01

Pas shumë diskutimesh, UEFA ka marrë vendimin për të pezulluar çdo nivel të dy kompeticioneve të saj Champions dhe Europa League të paktën për një javë. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e Institucionit më të lartë të futbollit Europian në të cilën thuhet se gjithçka bëhet për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit mes futbollistëve, pas rasteve të shumta të infektimit që janë shfaqur në Itali dhe Angli.

“Për shkak të përhapjes së Covid-19 në Europë dhe vendimeve të marra nga qeveritë e ndryshme, të gjitha ndeshjet e garave Europiane të planifikuara javën e ardhshme janë shtyrë” – thuhet në lajmërimin zyrtar të UEFA-s.

Ky vendim shtynë sfidat e të gjithë niveleve. Më 17 dhe 18 mars ishin programuar për t’u luajtur takimet e kthimit në UEFA Champions League, por për shkak se skuadra si Juventus e Real Madrid ndodhen në karantinë, UEFA ka vendosur t’i spostojë për një tjetër datë.

Europa League kishte planifikuar të luante takimet e kthimit të 1/8-ave më 19 mars, teksa dy duelet italo-spanjolle, Inter-Getafe dhe Sevilla-Roma nuk e kanë zhvilluar ende aktin e parë.

Në dilemë për t’u zhvilluar normalisht është vënë edhe Europiani. Kompeticioni më i rëndësishëm Europian pritet të mbahet nga data 12 qershor deri më 12 korrik, por gjasat janë që UEFA të vendos pezullimin e saj. Një ide është që Europiani të zhvillohet në verën e vitit 2021, megjithatë, në orët e ardhshme pritet një vendim zyrtar i UEFA-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN