Së shpejti pelenat një përdorimëshe do të kenë një sensor për lagështirën. Kështu bebet nuk do të kërcënohen më nga skuqjet apo irritimi i pjesës delikate të tyre si pasojë e urinës apo jashtëqitjes.
Nëse një pelenë e lagur, e ndotur, qëndron gjatë sjell padyshim problem për lëkurën e fëmijës, dhe për këtë arsye kërkuesit e universitetit teknologjik të Bostonit MIT, kanë realizuar një të tillë me sensorë, të dërgojnë një sinjal radio në një pajisje që gjendet në një rreze me largësi rreth 1 metër. Kjo është hera e parë që ideohet një pelenë njëpërdorimshme inteligjente efikase, pasi ndër të tjera është mjaft ekonomike për t’u prodhuar.
Kosto e prodhimit të sensorit është përllogaritur të jetë rreth 2 cent për copë. Ky sensor mund të përdoret jo vetëm për bebet, por edhe për të moshuarit që kanë probleme shëndetësore. Në këtë mënyrë, edhe në këtë rast do të evitohen irritimet apo infeksionet në rrugët urinare, pasi sinjali i ndotjes mbërrin menjëherë tek infermieri apo personi që kujdeset për pacientin.