Duket qartë se nuk është një kohë e mirë për botën dhe nuk është as kohë e mirë për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës. Presidenti Donald Trump ka zgjedhur në mënyrë të përsëritur ta quajë koronavirusin “virusi kinez”. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo e quan atë “virusin e Wuhanit”, diçka që stigmatizon kinezët.
Presidenti dhe sekretari i shtetit kanë akuzuar Kinën për dështimet e saj në trajtimin fillestar të përhapjes së virusit. Por zëdhënësit kinezë kanë hedhur poshtë çdo akuzë.
Ndërkohë, në mediat sociale në Kinë qarkullon ideja se pandemia është shkaktuar nga një program i ushtrisë amerikane.
Por kjo nuk është vetëm luftë fjalësh.
Në fillim të këtij muaji, kur SHBA njoftoi se po mbyllte kufijtë e saj për udhëtarët nga shumë vende të BE-së, përfshirë Italinë, qeveria kineze njoftoi se po dërgonte ekipe mjekësore dhe furnizime në Itali. Ajo i ka dërguar ndihmë edhe Iranit dhe Serbisë.
Ishte një tregues i betejës së informacionit që po zhvillohet në prapaskenë, me Kinën e etur për të dalë nga kjo krizë me statusin e një lojtari global. Në të vërtetë, është një betejë e cila SHBA, për momentin po e humb.
Ky është një moment kur sistemet administrative dhe politike të të gjitha vendeve po testohen si kurrë më parë. Udhëheqësit politikë ekzistues përfundimisht do të gjykohen nga mënyra e trajtimit të virusit; qartësia e ligjërimit të tyre; dhe efikasitetin me të cilin përdorin burimet e vendeve të tyre.
Pandemia është goditur në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Kinë po përmirësoheshin. Një marrëveshje e pjesshme e tregtisë mezi u arrit midis dy vendeve.
Pandemia kërcënon t’i përkeqësojë sërish marrëdhëniet SHBA-Kinë. Kjo mund të ketë një ndikim të rëndësishëm si për rrjedhën e kësaj krize, ashtu edhe për botën pas saj. Kur virusi të jetë mposhtur, ringjallja ekonomike e Kinës do të luajë një rol kritik në ndihmën për të rindërtuar ekonominë e shkatërruar globale.
Por tani për tani, ndihma kineze është thelbësore në luftimin e koronavirusit. Kina është gjithashtu një prodhues i madh i pajisjeve mjekësore dhe sendeve të disponueshme si maska dhe kostume mbrojtëse, thelbësore për trajtimin e pacientëve të infektuar.
Por ajo që është në diskutim tani është udhëheqja globale.
Shumë komentues perëndimorë e shohin Kinën që po bëhet edhe më autoritare dhe më nacionaliste dhe kanë frikë se këto tendenca do të përshpejtohen nga ndikimi i pandemisë dhe rënia ekonomike. Por ndikimi në rolin global të Uashingtonit mund të jetë edhe më i madh.
Aleatët e Amerikës mund të mos kritikojnë hapur administratën Trump, por mendojnë ndryshe për sa i përket qëndrimit ndaj Kinës; sigurisë së teknologjisë kineze (polemika e Huawei); Iranin dhe çështje të tjera rajonale.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC/ konica.al