MENU
klinika

Çfarë është më efektive kundër koronavirusit

Larja e duarve me sapun apo xheli antibakterial?

05.03.2020 - 13:35

Në një kohë që numri i të infektuarve nga koronavirusi është në rritje në botë, Shqipëria mbetet ende e paprekur. Megjithatë kujdesi ndaj higjenës, sidomos në këtë periudhë, duhet të jetë i madh. Larja e shpeshtë e duarve na është kthyer në zakon, ndërsa në çantë apo në tavolinën e punës nuk mungon xheli antibakterial. Por, cila është metoda më efektive për t’u mbrojtur nga koronavirusi? Është më mirë t’i lajmë duart me sapun apo xheli antibakterial funksionon më mirë?

E mira është që sa herë të keni mundësi t’i lani duart me ujë të rrjedhshëm dhe sapun. Tregohuni të kujdesshëm me larjen duke i fërkuar duart për 20 sekonda. Në rast se nuk keni mundësi t’i lani me ujë dhe sapun, atëherë një antibakterial me 60% alkool do t’ju ndihmonte shumë. Xheli antibakterial redukton numrin e baktereve në duart tuaja, por duhet të dini që ai nuk i heq qafe të gjitha llojet e baktereve dhe nuk është efektiv kur duart janë shumë pis apo janë me yndyrë.

Po ashtu, mundohuni të shmangni prekjen e sipërfaqeve që preken nga një numër i madh njerëzish. Lajini duart të paktën 5 herë në ditë me ujë dhe sapun, ndërsa kur nuk keni mundësi përdorni xhelin antibakterial.