MENU
klinika

Umberto Saba

Letërsia është për poezinë, si gënjeshtra për të vërtetën

09.03.2020 - 16:03

Umberto Saba ishte një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit XX, i aftë të rrëfente jetën e përditshme përmes një gjuhe të thjeshtë dhe konkrete. Lindi më 9 mars 1883 në qytetin kozmopolit të Mesdheut, Trieste, kohë kur ishte qyteti i katërt më i madh i perandorisë austro-hungareze dhe vdiq më 25 gusht 1957, narrator i vogëlsirave dhe realitetit të përditshëm. Poezitë e tij u mblodhën në “Poezi”, një autobiografi e vërtetë poetike e autorit, në të cilën paraqiten dhe ndërrohen lirisht episodet e rëndësishme të jetës së poetit. Komponentët karakterizohen nga një ton i thjeshtë dhe natyra e gjuhës së folur, veçanërisht kanë të bëjnë me përvojën e tij të përditshme, jetën familjare dhe afeksionet private, mbi të cilat shartohen reflektimet mbi vuajtjet dhe natyrën njerëzore, të vendosura në sfond, konkrete dhe shumë personale, të qytetit të Triestes./Konica.al

 

Dashurova

Fjalë të thjeshta dashurova

Që më nuk përdoreshin.

Më joshi rima zambak për merak,

Më e vështira në botë, më e vjetra.

Në fund, ëndrra e harruar, e vërteta dhe tjetra,

Dhimbja e rigjetur, mike.

I afrohet zemra, por dhe asaj frike

Që përsëri të mos e braktisë.

Të dua ty që po dëgjon,

Dhimbjen e poezisë, të vërtetën time,

Kartën fituese deri në fund të jetës.

 

Për të kuptuar veprën e Sabës, duhet pasur parasysh edhe marrëdhënia shumë e ngushtë, e dashurisë së thellë, si psikologjike, ashtu edhe asaj poetike, e cila bashkoi poetin në qytetin e tij dhe që përbën një nga aspektet më karakteristike të veprimtarisë së tij letrare. Në të vërtetë, për Sabën, poezia shmang përgjithësinë dhe abstraksionin dhe përkon me përfaqësimin dhe interpretimin e një realiteti specifik mjedisor dhe gjeografik: Trieste.

“Unë nuk kam qenë një poet triestin, por një poet italian, i lindur në 1883, në atë qytet të madh italian që është Trieste. Nuk e di as nëse, nga këndvështrimi i higjenës së shpirtit, ishte mirë që unë të lindja me një temperament klasik në një qytet romantik; dhe me një karakter idilik (karakteristikë e gjithë të dobëtve), në një qytet dramatik. Ishte një e mirë, mendoj, për poezinë time, e cila ushqehej me atë kontrast, dhe një e keqe për mua, le të themi për “lumturinë e të jetuarit”. Sidoqoftë, botën e kam parë nga Trieste: peizazhi i saj, material dhe shpirtëror, është i pranishëm në shumë nga poemat dhe prozën time, madje dhe ato janë pjesa dërrmuese, që nuk flasin për gjë tjetër veçse Trieste. Për më tepër, unë nuk besoj as në fjalët, as në veprat e njerëzve që nuk i kanë rrënjët e tyre të rrënjosura thellë në tokën e tyre: ato janë gjithmonë vepra dhe fjalë të shfaqura në ajër”, shprehet autori gjatë fjalimit të 70-vjetorit./Konica.al

Umberto Saba, parapëlqente një poezi pa zbukurime, që shpaloste ngjyrimet e jetës së përditshme, që  ishte e qartë, e thjeshtë, e kuptueshme: poezia e shkruar duhet të ishte në gjendje të shprehte gjendjen ekzistenciale të njeriut, me qëllim që të përfaqësonte realizmin në të cilin qenia njerëzore është ngulitur, si dhe përditshmërinë. Për Sabën, poeti duhet të ndjekë kërkesat e shpirtit. Poezia e tij është një kuptim i vazhdueshëm i vetvetes, një analizë e vazhdueshme, një hetim i pasosur, që kujton lidhjen e ngushtë që kishte Umberto Saba për psikanalizë. Prandaj poezia është një instrument i aftë për të kuptuar dhe lehtësuar origjinën e neurozave dhe traumave të brendshme të një personi. Poetika e tij flet për personazhe të thjeshtë, kafshë shtëpiake, për realitetin e përditshëm. Megjithatë, nuk është thjesht një fotografi objektive e realitetit, pasi Saba i stërpik këto imazhe të jetës së përditshme me shqetësimet e brendshme të saj.  Poezia e Umberto Sabas është e qartë dhe e thjeshtë, si temat  e tij që gjurmojnë skena nga jeta e përditshme: Trieste dhe rrugët e saj, deti si simbol i dëshirës së zjarrtë, gruaja e tij Lina dhe vajza Linuccia, kujtimet e fëmijërisë, lidhja me natyrën. Në veprën e famshme të “Poezi”, këto elemente të jetës së përditshme i gjejmë të mishëruar më së miri, madje vepra vijon si një manifest i jetës së Umberto Sabës.

Në rininë time

Në rininë time kam lundruar

Gjatë brigjeve dalmate.

Ishuj të vegjël shfaqeshin, ku rrallë

Një zog arrinte për ndonjë pre,

I mbuluar me alga, rrëshqitëse, në diell

Të bukura smerald. Kur batica e lartë

Dhe nata i prapste, velat

Nën erë anoheshin më tej larg,

Për t’i shpëtuar kurthit.

Sot mbretëria ime është ajo tokë e askujt.

Porti ndez për të tjerë dritat e tij;

Mua ma shtyn ende larg shpirtin e pazbutur,

Dhe dashurinë e dhimbshme të jetës.

 

 

E zhveshur

E zhveshur si një rrëkezë dhe gojë më gojë,

Çdo drithmë e jotja ëmbëlsonte

Atë puthje që sot më kthehet në mendime.

M’u bë në ëndërr, por ndoshta isha në realitet,

Sikur në ty fliste, i mishëzuar, një engjëll.

Një engjëll i së mirës edhe në heshtje pohon

Mirësinë, teprinë tek ai të dashurisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit