MENU
klinika

Historia e grave guximtare që u hodhën nga shkëmbi

“Më mirë të vdekura se robinja”

29.03.2020 - 06:59

Historia e grave suliote ka hyrë në analet e historisë . Aq sa në mendjen e çdo shqiptari është veshur me petkun e legjendës. Gra që për të mos rënë në dorë të turqve u hodhën nga shkëmbi sepse donin të ishin të lira.

Po a ishte e vërtetë ky si fakt apo historia e shekujve e ka mitizuar dhe këtë ndodhi?

Kërshërisë mbi këtë fakt i vjen në ndihmë profesor doktor Irakli Koçollari. “Pikërisht në fushatën e tretë të Aliut që zgjati rreth një vit, në beteja tepër të vështira, në një terren ku kalonin vetëm dhitë dhe suljotet, ato gjenden të rrethuara në Manastirin e Zalonges.

Aliu arriti të rrethojë gratë e Sulit, të cilat për të mos u bërë robinja të tij, nuk pranuan të dorëzoheshin dhe u hodhën nga shkëmbi”, thotë profesori.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Është interesante, sipas profesorit, të hysh në psikologjinë e grave të Sulit. Ato ishin luftëtare me nam dhe shumë trime. Merrnin pjesë në beteja dhe ndihmonin burrat e tyre në luftë, duke hedhur shkëmbinj të mëdhenj mbi forcat e Ali Pashait.

Një krahinë që prej 300 vjetësh ishte e lirë dhe udhëhiqej nga Venomet e Jugut patjetër që do ushqente që në deje një liri të pakufizuar dhe gratë do ishin pararojë në familje dhe në fshatrat e Sulit. Por historitë e kësaj krahine që ka marrë petkun e legjendës do visheshin dhe me histori të tjera trimëreshash të ngjashme.

Po gra të tjera suliote, gjatë rrethimit të gjatë do të mbylleshin në manastir dhe do të preferonin të digjeshin nga baruti brenda në manastir, se të dorëzoheshin. Dhe ashtu bënë. U dogjën të gjalla për të mos u bërë robinja të Ali Pashait.

Gratë suliote, të shquara për trimërinë e tyre do bëheshin objekt edhe në gazetat e huaja. Në një prej artikujve të gazetës prestigjioze “New York Times”, shumë vjet më vonë do të përshkruhet dhe trimëria e këtyre grave me nam në gjithë botën.

Artikulli do të quhej “Gra të guximshme” dhe do bënte fjalë për gratë e Sulit dhe trimërinë e tyre gjatë rrethimit të Ali Pashë Tepelenës.