Askush nuk i ka nxjerrë më mirë në pah vlerat e Italo Kalvinos, këtij gjeniu kaq të talentuar e mendjemprehtë italian, se sa vetë ai, përmes pesë meditimeve mbi artin e të shkruarit: “Në të vërtetë, lehtësi, shpejtësia, saktësia, dukshmëria, larmia, duhet të informojnë jo vetëm mbi veprimtarinë e shkrimtarëve, por edhe mbi çdo hap të ekzistencës sonë, shumë të shkujdesur e të shpërqendruar”./Konica.al
Besimi i Kalvinos në të ardhmen e letërsisë qëndronte në faktin se, ai e dinte se kishte gjëra, që vetëm letërsia mundet t’i pasqyronte me mjetet e saj të veçanta. Pra, dëshira e madhe e shkrimtarit ishte t’ua kushtonte këto ligjërata disa vlerave, cilësive apo veçorive të letërsisë, që ai i kishte më për zemër, duke u përpjekur t’i vendoste në perspektivën e mijëvjeçarit të ri.
Në vitin 1984, Kalvino u ftua zyrtarisht nga Universiteti i Harvardit, hera e parë që i bëhej ftesë një shkrimtari italian. Është fjala për një cikël prej gjashtë leksionesh, që ai do t’i mbante gjatë një viti akademik (1985-1986). Kalvino filloi të shkruajë menjëherë “Leksione amerikane”, që u botuan pas vdekjes së tij, më 1988.
Nëse do të na duhet të gjejmë një fund kozmik, është ai i “Ndërgjegjja e Zenos”, që është një reflektim mbi sëmundjen, mbi natyrën e ndotur nga njeriu dhe që arrin deri në një profeci të bombës atomike. “Do të ndodhë një shpërthim mjaft i madh, të cilin askush nuk do ta dëgjojë, kurse toka, duke u rikthyer në formën e nebulozës, do të mund të endet nëpër hapësirë, por pa parazitë dhe pa sëmundje”.
“Kënaqësinë e parë që të dhuron një libër i mirë, unë e provova paksa vonë: isha dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeç dhe autori qe Kipling, libri i xhunglës, vëllimi i parë dhe (veçanërisht) i dytë. S’mbaj mend se si e gjeta: ose në bibliotekën e shkollës, ose ma dhuroi dikush. Që nga ajo ditë kisha gjithnjë diçka për të kërkuar në libra: përpiqesha të riprovoja të njëjtën kënaqësi që kisha shijuar në leximin e Kiplingut”, – shprehet Kalvino./Konica.al
Leximi është një mënyrë për të njohur botën, por gjithashtu është një mënyrë efikase për ta njohur më mirë vetveten. Fjalët e të tjerëve, që gjenden në librat që lexojmë, sjellin emocione, reflektime, mendime që na lejojnë të eksplorojmë unin tonë të brendshëm. Italo Kalvino, thoshte: “Të lexosh nuk është vetëm një marrëdhënie me librin, por edhe me vetveten, me botën tonë të brendshme nëpërmjet botës që na ofron libri”. Rëndesa pa peshë, thotë Kalvino, rilulëzon në epokën e Servantesit dhe Shekspirit: është ajo lidhje e veçantë midis melankolisë dhe humorit, e studiuar te “Saturn and Melancholy” nga Kibanski, Panofski, Saksli. Ashtu sikurse melankolia është trishtimi që bëhet i lehtë, po kështu humori është komikja që humb peshën trupore (atë përmasë të sensualitetit njerëzor, që i bën të mëdhenj Bokaçon dhe Rabëlenë dhe vë në dyshim unin, botën dhe gjithë rrjetën e marrëdhënieve që ato përbëjnë.
Xhakomo Leopardi në arsyetimin e tij të vazhdueshëm mbi peshën e padurueshme të të jetuarit, i krijon lumturisë pamje të paarritshme lehtësie: zogjtë, një zë femre që këndon në një dritare, qartësia e ajrit dhe, mbi të gjitha, hëna. Soditja e qiellit të natës, që do ta frymëzojë Leopardin në vargjet e tij më të bukura, nuk ishte vetëm një motiv lirik. Kur fliste për hënën Leopardi e dinte fare mirë se përse e kishte fjalën. Sapo shfaqet në vargjet e poetit, hëna ka gjithmonë fuqinë e komunikimit të një ndjesie lehtësie, nderjeje, të një magjepsjeje të heshtur dhe të qetë.
Shekulli i motorizimit e rendit shpejtësinë si një vlerë të matshme, me rekorde që shënojnë historinë e progresit të makinave dhe njerëzve. Mirëpo, shpejtësia mendore nuk mund të matet, nuk lejon përqasje apo gara dhe nuk mund t’i vendosë rezultatet e saj në një perspektivë historike. Një arsyetim i shpeshtë nuk është e thënë të jetë më i mirë se një arsyetim i matur, përkundrazi komunikon diçka të veçantë, që qëndron pikërisht në shpejtësinë e tij. Në jetën e përditshme tregohemi shumë të kursyer me kohën. Në letërsi, koha është pasuri, të cilën mund ta përdorësh me lehtësi dhe të veçuar: nuk është fjala për të arritur i pari në një vend të caktuar, përkundrazi, ekonomia e kohës është diçka pozitive, sepse sa më shumë kohë të kursejmë, aq më shumë mund të humbasim. Fantazia është një lloj makine elektronike, që merr parasysh të gjitha kombinimet e mundshme dhe zgjedh ato që i përgjigjen një qëllimi ose që thjesht, janë më interesantet, të pëlqyeshmet, zbavitëset./ Konica.al