MENU
klinika

Deutsche Welle

Mosnjohja e gjuhëve, “konflikti” në Ballkan?

31.03.2020 - 10:18

        A është mosnjohja e gjuhëve, një prej shkaqeve për të menduar se tjetri është armiku ynë? Si reflektohet mosnjohja e tjetrit në letërsinë shqipe, serbe, kroate? Kush po përkthen më së shumti, vepra serbe në shqip?

“A keni ndonjë vepër të ndonjë autori nga Shqipëria apo Kosova?”, – ishte pyetja që i kemi shtruar shumë botuesve dhe librarive në Beograd, Novi Sad, Sarajevë dhe Banjallukë. Përgjigjet më të shpeshta ishin: – “Jo” ose “të shikoj pak… Jo”.

Vladimir Manigoda nga shtëpia botuese serbe “Kontrast”, thotë: “Nuk ka shumë përkthime, respektivisht nuk ka ndonjë industri serioze botuese që do të zgjonte interesimin për autorët e gjuhëve të tjera të rajonit. Matija Boshnjak nga shtëpia botuese Connectum (Sarajevë), mendon se në kuptimin letrar apo distributiv nuk ekziston ndonjë pengesë serioze për të gjetur vepra të autorëve shqiptarë në libraritë e Bosnjë-Hercegovinës. “Por kërkohet një punë shumëvjeçare për të afirmuar ndonjë autor në ndonjë kulturë të caktuar, që ai të ketë një reputacion, në mënyrë që librat e tij të lexohen shumë dhe shiten mirë”, – thotë Boshnjak për Deutsche Wellen.

Ndërsa Jeton Neziraj, mendon se rrjeti distributiv është shkatërruar dhe se, të gjitha ngjarjet e rëndësishme tani ndodhin në Prishtinë. “Do të thosha, se libraritë në Kosovë janë të hapura për autorë nga rajoni, por shtrohet pyetja: A ka ndonjë interesim për këto vepra dhe si do të shiteshin ato? Shitja në të shumtën e rasteve është në nivele shumë të ulëta. Pikërisht për këtë shkak, librat që kemi përkthyer ua kemi falur bibliotekave të qyeteve”, – thotë Neziraj për DW.

Tregu apo ideologjia?

Qerim Ondozi, përkthyes nga Kosova, shpesh bashkëpunon me Connectum nga Sarajeva por edhe botues të tjerë. Aktualisht është duke përkthyer “Dnevnik selidbe” (Ditari i shpërnguljes), të autorit Xhevad Karahasan. Ondozi ia ka ofruar këtë titull së pari botuesit Koha Ditore, por ai e ka refuzuar me shpjegimin se nuk është mjaft atraktiv në kuptimin komercial. “Kur bëhet fjalë për pëkthimet nga gjuhët boshnjake, serbe dhe kroate në shqip dhe anasjellltas, një punë të madhe është duke bërë organizata joqeveritare “Qendra Multimedia”. Botuesit e tjerë nuk janë seriozisht të interesuar, përveç disa botuesve në Shqipëri. Me fjalë të tjera, botuesit shqiptarë bëjnë shumë përkthime dhe pastaj i eksportojnë këto libra në Kosovë, ndaj botuesit në Kosovë nuk kanë tepër shanse të zhvillohen në këtë drejtim”, – thotë Ondozi për DW.

Ben Andoni, përkthyes nga gjuha shqipe në serbisht, mendon se veprat në gjuhën shqipe përkthehen shumë rrallë në Serbi, ndërsa veprat në gjuhët e ish-Jugosllavisë përkthehen shpesh në Shqipëri. Andoni i ka përkthyer vullnetarisht veprat e disa autorëve dhe më pas, ka kërkuar shtëpi botuese.

“Ekzistojnë tri lloje bashkëpunimi dhe financimi. Një lidhet me fonacionin „Traduki”, pra me financimet nga Gjermania, por në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës në Serbi, Shqipëri dhe vendet tjera. “Traduki” ka merita të mëdha për zhvillimin e bashkëpunimit në vendet e Ballkanit. Burimi i dytë i financimit është ministria e Kulturës dhe Informimit në Republikën e Serbisë dhe ministria e Kulturës në Shqipëri, kjo e fundit financon pak më rrallë. Ndërsa forma e tretë e financimit bëhet përmes projektit “Evropa kreative”, që është një program i Bashkimit Evropian”, – shpjegon Andoni.

Jeton Neziraj, shkrimtar, skenarist dhe drejtor i Qendrës Multimedia, thotë se organizata e tij joqeveritare nuk është mbështetur kurrë financiarisht nga ndonjë burim publik financiar në Kosovë. Për publikimin e ndonjë vepre të autorëve shqiptarë, apo për përkthime nga gjuha serbe, boshnjake, kroate apo malazeze në shqip, pohon Neziraj.

Rivendosja e lidhjeve

“Me përkthimin në shqip, të veprave të autorëve nga Serbia, është kompromentuar reputacioni ynë në një farë mënyre, tek të punësuarit në ministrinë e Kulturës, libraritë dhe botuesit. Përkthimi i letërsisë nga gjuha serbe në shqipm paraqet një lloj akti vetëvrasës për përkthyesin. Por edhe kjom po ndryshon ngadalë, në veçanti kur dihet se shumë botues nga Shqipëriam interesohen shumë për përkthimin e veprave nga gjuhët e ish-Jugosllavisë në shqip. Pengesat e vjetra po zhduken, por shumë ngadalë”.

Para nëntë vitesh, “Qendra Multimedia” në Prishtinë dhe “Beton” në Beograd, kanë botuar antologjinë e letërsisë shqipe dhe serbe, në dy vëllime: “Nga Beogradi me dashuri” dhe “Nga Prishtina me dashuri”. “Qendra Multimedia” dhe “Krokodil” nga Beogradi, kanë organizuar edhe festivalin e parë shqiptaro-serb, me titull “DO YOU READ ME”, në Mitrovicën e Jugut. Ato kanë pasur edhe një projekt të përbashkët dyvjeçar me titull “Neighbors”, me qëllim ndërthurjen e skenës letrare në Kosovë dhe Serbi dhe shkëmbimin mes këtyre dy vendeve, përmes festivaleve të shtëpive botuese “Krokodil” dhe “Polip”, si dhe projektit “Reading Balkans”. Vladimir Arsenijeviq, drejtor kreativ, pohon se “Krokodil” është në kërkim të donatorëve që do të mbështesnin këto projekte. Në kuadër të projektit “Reading Balkans”, këtë vit, në Prishtinë do të organizohet prezantimi i autorëve Jasna Zhmak nga Kroacia, Zlatko Pakoviq nga Serbia dhe Jean Lorin Sterian nga Rumania, thotë Arsenijević për DW.

Sasha Qiriq, kritik letrar dhe publicist, ka analizuar veprat e autorëve nga Kosova dhe Shqipëria, që janë përkthyer në gjuhën serbe pas vitit 2000. Në përmbledhjen “Figura e armikut – rimendim i raporteve shqiptaro-serbe”, Qiriq vëren se në në asnjë vepër të përkthyer në gjuhën serbe, nuk ekziston ndonjë shembull i miqësisë ndëretnike, apo lidhjeve të dashurisë. Qiriq, megjithatë mendon se shembujt e satirës kritike ndaj autoritarizmit politik dhe konservativizmit patriarkal, si dhe shembujt e tolerancës fetare dhe kundërshtimit të revanshit, paraqesin bazat për kuptimin më të mirë të tjertrit në raportet shqiptaro-serbe. “Kjo vlen edhe për mundësinë e trasnformimit të një personi nga kategoria e armikut (induktiv) dhe të panjohurit të rrezikshëm në kategorinë e fqinjit, me mundësinë e rivendosjes së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit”, – konstaton Qiriq./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Xhorxh Fred Uilliams

“Shqiptarët”

Gjatë udhëtimeve të tij

A ka qenë Shën Pali edhe në Iliri?