MENU
klinika

"Deputetët vendosin fatin e tij"

Mustafa: Kurti po ndikohet nga disa kokëkrisur

21.03.2020 - 15:54

“Koalicioni I Shpresës” i ka ditët e numëruara. Shpejt pritet t’i takojë historisë. LDK-ja s’po tërhiqet nga mocioni e Lëvizja Vetëvendosje s’po pranon ta rikthejë Agim Veliun në Qeveri dhe ta largojë krejtësisht taksën. Në një bisedë për Express, Isa Mustafa ka thënë se e gjithë kjo situatë ka ardhur pasi Kryeministri i ka afër vetes disa kokëkrisur.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se sot gjithçka do të ishte ndryshe, nëse Kryeministri Albin Kurti nuk do të ishte i rrethuar nga disa kokëkrisur. Nuk ka treguar se për kënd e ka fjalën, por ka thënë se të njëjtit po ia interpretojnë gjërat në mënyrë të gabuar.

“Konsideroj se po të mos i kishte z. Kurti disa kokëkrisur afër tij, që gjërat i interpretojnë kështu, nuk ishim ardhë në këtë situatë që jemi”, ka thënë Kryetari i LDK’së për Gazetën Express.

Kjo deklaratë ka ardhur pasi raportet ndërmjet LDK’së dhe VV’së janë në pikën zero prej kur Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun përmes një njoftimi për medie. Në anën tjetër, LDK’ja e aktivizoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë, që po e përkrah edhe opozita.

Ndërkohë nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, një ditë më parë tha se Isa Mustafa s’mund t’i vendoste veto shkarkimit të Agim Veliut pasi s’parashihej as në marrëveshjen e koalicionit. Por, Isa Mustafa e citon marrëveshjen, e cila ishte arritur pas 140 ditëve negociata. Aty shkruan se shkarkimi mund të bëhet vetëm pasi të pajtohet edhe kryetari i partisë me arsyetimin e Kryeministrit.

“Nuk e kam dëgjuar z. Bislimi. Por marrëveshja është e qartë. Mund të shkarkohet vetëm ai ministër, nëse arsyetimin e pranon kryetari i LDK-se”, ka thënë Mustafa. Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se shefi i Vetëvendosjes s’e ka konsultuar fare për shkarkimin dhe s’është pajtuar as kur e ka lexuar lajmin në medie.

“Me mua nuk është konsultuar kryeministri Kurti. Nuk jam pajtuar kur e kam parë lajmin në medie. Ai nuk ka pasur kurajo as të bisedojë me ministrin që e ka shkarkuar”, ka thënë Mustafa për Express.

Isa Mustafa pranoi ta bënte shef të Qeverisë Albin Kurtin pasi Vetëvendosje doli e para me një deputet më shumë se LDK’ja, pavarësisht se raportet ndërmjet dy liderëve të partive ishin të këqija pasi Kurti i kishte organizuar protesta edhe para shtëpisë së tij, kur Mustafa ishte Kryeministër.

Tash kur po pritet votimi i mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ka nisur një fushatë e re e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Isa Mustafës, ndonëse më herët edhe Kurti dhe të tjerët i referoheshin kryetarit të LDK’së si “profesor Mustafa” e “akademik”.

Veç kësaj, entuziastët e dy partive, në LDK e VV, e kishin kurorëzuar koalicionin e tyre si “Koalicion i Shpresës”, i cili planifikohej të zgjaste së paku tetë vjet, ndërsa e preku fundin pas 44 ditëve, kur deputetët e partisë së dytë e proceduan mocionin e mosbesimit. Vjosa Osmani ka dalë kundër nismës së LDK’së, duke mos e dhënë votën pro rrëzimit të Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje prej se është themeluar i ka pasur në qendër të kritikave partitë në pushtet e edhe LDK’në. Njerëzit e kësaj partie, nga Kurti dhe anëtarët tjerë të VV’së, janë cilësuar si njerëz të korruptuar dhe të afërt me Thaçin. Pavarësisht se sot në partinë e Albin Kurtit janë disa prej themeluesve të PDK’së, duke përfshirë Hydajet Hysenin, Ismail Kurteshin, Xhevat Bislimin, Gani Krasniqin e Sabri Kiçmarin. Një pjesë e tyre kishin qenë edhe në LPK.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK’ja në këtë kohë janë edhe në një garë elektorale në Podujevë, atje ku po luftojnë se kush do ta udhëheqë komunën. Zgjedhjet atje u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Edhe atje, Lëvizja Vetëvendosje ka garuar me një ish-deputet të LDK’së.

Ka pasur thirrje që të tejkalohen dallimet ndërmjet VV’së e LDK’së në kohën kur i gjithë shteti është në luftë me virusin COVID-19. Megjithatë, këto thirrje janë injoruar nga të dyja partitë. Albin Kurti ka refuzuar ta rikthejë Veliun në Qeveri dhe ta heqë taksën krejtësisht, kurse LDK’ja ka refuzuar ta tërheqë mocionin për rrëzimin e Kurtit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN