MENU
klinika

Falimentimi i ish-kampionit të botës

Nga bigamia, borxhet e burgu, ana e errët e Dinhos

18.03.2020 - 18:15

Sot, ai ndodhet në një burgjet e Paraguajit, por Ronaldinho mbetet një nga ish-lojtarët më të mirë Brazilit dhe botës. Ish-sulmuesi, tani 39 vjeç, fitoi dy herë çmimin e “Lojtarit më të mirë të vitit” nga FIFA, si dhe një “Top të Artë”, në kulmin e fuqive të tij. Ai ngriti trofeun e Kupës së Botës në Korenë e Jugut dhe Japoni, më 2002, dhe “Copa America”, më 1999.

Teknika e përsosur, truket, driblimet, golat e bukur e shoqëruan eksperiencën e tij në “Camp Nou”, në ato pesë vitet që luajti me Barcelonën, por edhe më pas me Milan. Por, pasi u tërhoq zyrtarisht nga futbolli i luajtur në vitin 2018, jeta e ikonës braziliane ka dalë jashtë kontrollit.

Nga akuzat për “bigami” (vepra penale e martesës me dikë, ndërsa martohesh edhe me një person tjetër), miliona dollarë borxhe, pasuria e tij e konfiskuar…, Ronaldinho ka pësuar një shkatërrim trishtues jashtë fushave të blerta. Dhe tani, skandali i radhës. Ai po hetohet se ka hyrë në Paraguaji me një pasaportë të falsifikuar, por më e rënda do isht nëse provohet akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave.

BIGAMIA – Me kalimin e viteve, Ronaldinho nuk ka pasur asnjë problem për të tërhequr femrat e bukura. Në vitin 2018, ai u detyrua të mohojë pretendimet se ishte martuar me dy gra në të njëjtën kohë (bigami). Gazeta braziliane “O Dia” zbuloi në mënyrë sensacionale se Ronaldinho duhej të martohej me dy të dashurat e tij, Beatriz Souza dhe Priscilla Coelho.

Thuhej se ua kishte dhuruar unazat e fejesës dy bukurosheve dhe ceremonia e martesës do të zhvillohej në rezidencën e tij prej 5.5 milionë eurove në Rio de Janiero. Bigamia është e paligjshme në Brazil dhe mund të dënohet deri në gjashtë vite burg. Megjithatë, Ronaldinho tha se raporti mediatik thjesht nuk ishte i vërtetë. “E gjithë bota po më telefonon nga ky lajm, por unë nuk do të martohem, – u tha ai gazetarëve. – Kjo është gënjeshtra më e madhe”.

DIVORCET – Menjëherë pas ekspozimit ndaj problemeve jashtë fushës, Ronaldinho u nda me Priscilla, pas gjashtë viteve së bashku. Ajo filloi një proces gjyqësor për t’i marrë një pjesë të pasurisë prej 70 milionë eurosh. Nëna e saj, Maria Aldenice dos Santos, foli asokohe për marrëdhënien trepalëshe të së bijës:

“Ronaldinho kishte dhomën e tij të gjumit për veten dhe Priscilla, ndërsa një dhomë tjetër gjumi funksiononte për të dhe Beatriz. Ato nuk do të ishin kurrë bashkë në të njëjtin shtrat. Një ditë do të ishte Priscilla dhe të nesërmen Beatriz. Ai iu jepte të dyjave të njëjtën sasi parash që shpenzonin çdo muaj po ashtu të njëjtat dhurata. Një herë, Ronaldinho iu bleu të dyjave orë Rolex”.

Maria shtoi se Priscilla kishte duruar shumë deri në fund të vitit 2018, kur u largua nga Ronaldinho: “Vajza më tha se Ronaldo kishte filluar të shkonte rregullisht në ‘party’, duke i kaluar netët atje, ndërsa ajo qëndronte vetëm në shtëpi. Pastaj gjeti mesazhe midis Ronaldinhos dhe femrave të tjera në celularin e tij.

Beatriz nuk ishte në shtëpi në atë moment, kishte shkuar të kalonte Krishtlindjet në Londër. Bija ime u përball me të, por ai nuk donte të fliste. Ronaldinho hipi në makinën e tij dhe vajza e ndoqi, duke i thënë se nuk mund të largohej pa folur dhe sqaruar. Ajo kaloi tri ditë e mbyllur në dhomën e gjumit, pa ngrënë, duke u përpjekur të fliste me të, duke pritur që të kthehej. Pastaj, ajo vendosi që kjo nuk mund të vazhdonte më. Mori valixhet e saj dhe erdhi në shtëpi”.

SEKUESTRIMET – Në vitin 2018, kur nisën problemet e tij financiare (gjobat nga gjykatat), prokurorët ia bastisën shtëpinë Ronaldinhos për të sekuestruar pasuri, përfshirë koleksionin e makinave dhe një pikturë të shtrenjtë. Një muaj para bastisjes, gjykata i konfiskoi pasaportën, që të mos largohej nga Brazili, por u zbulua se kishte vetëm 9 euro në llogarinë e tij.

Pra, nuk ishte në gjendje të shlyente një borxh të grumbulluar në kurriz të tij. Oficerët e policisë i sekuestruan dy makina BMW dhe një Mercedes-Benz, në përpjekje që të rikuperonin fonde për të shlyer gjobën. Po ashtu iu mor një pikturë e shtrenjtë e Andre Berardo nga një shtëpi në pronësi të familjes së Ronaldinho në Porto Allegre.

Sipas Ministrisë Publike Braziliane, vëllai i ish-lojtarit, Assis Moreira, dhe Instituti “Ronaldinho Gaucho”, i cili ndihmon fëmijët dhe adoleshentët, u shpallën fajtorë për dëmtimin e mjedisit nga Gjykata e Drejtësisë e Rio Grande do Soul, më 2013. Ata kishin prerë pyllin vendas dhe kishin tjetërsuar një sipërfaqe toke pa licencë. Gjoba për këtë shkelje u raportua afro 2 milionë euro.

BURGU – I mbetur pa pasaportë, Ronaldinho falsifikoi një paraguajane. Nga verifikimet e bëra, policia ka konstatuar se fituesi i Kupës së Botës kishte shkelur në territorin ilegalisht. Ronaldinho u ndalua nga policia në “Resort Yacht & Golf Club Paraguayo” në kryeqytetin Asuncion.

Ai ishte qenë i ftuar në këtë resort nga Nelson Belotti, pronar i një kazinoje. Pavarësisht se nuk ishte në gjendje të udhëtonte jashtë Brazilit, Ronaldinho u emërua një nga ambasadorët e rinj të vendit për turizmin, shtatorin e vitit të kaluar.

39-vjeçari u prit në aeroportin e Asuncion si një “yll”, por i gjithë programi i tij u anulua për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve vendëse. Tashmë ai ndodhet në burg dhe 1.5 milionë euro dhënë nga miqtë e tij si garanci pasurore nuk janë pranuar nga gjykata për ta lënë në arrest shtëpie. A është ky fundi i Ronaldinhos? Ndoshta, por ai mbetet i buzëqeshur…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN