MENU
klinika

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”

Nga Ilir Meta tek Lulzim Basha, krerët politikë urojnë 7 Marsin

07.03.2020 - 11:28

Presidenti Ilir Meta iu uron 7 marsin të gjithë mësuesve, pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë, ndërsa nuk harron pa kujtuar edhe mësuesen e tij të parë, por edhe të tjerat që e kanë ndjekur ndër vite, në bankat e shkollës.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Meta shkruan “Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit!”

Mesazhi i Metës:

Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit!

Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar, dhe shumë sukese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike! Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek “Kongresi i Lushnjës”, “Fan Noli” dhe “Sami Frashëri”, Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji. Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit! Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI!
Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë!
Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!” ??✒??

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të urojë festën e 7 Marsit me një shprehje të famshme të Konfucit.  Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Rama, duke cituar Konfucin shkruan se; “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.

Sot në të gjithë vendin festohet 7 Marsi, ‘Dita Kombëtare e mësuesit’, e cila përkon me 133 vjetorin e krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe.

Rama

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bën një urim të veçantë për të gjithë mësuesit, që festojnë sot “7 Marsin”, teksa poston në ‘Facebook’ një foto me mësuesen e tij të parë.

Ndër të tjera, Basha thekson se mësuesit duhen uruar “Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor”.

Mesazhi i Bashës: Është kaq e natyrshme që çdo 7 mars sjell ndër mendje mësuesen e klasës së parë. Dhe po kështu të çdo mësuesi dhe pedagogu që ka qenë pjesë e jetës dhe e dijes në çdo hap që kemi hedhur si nxënës dhe studentë.

Ndaj sot dua t’ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë. Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë. #ditemetemira

Nderkohe dhe Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, uron të gjithë mësuesit shqiptarë, të cilët festojnë sot “7 Marsin”. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se misioni i mësuesve është edukimi i fëmijëve, ndërsa bën dhe një zotim në këtë ditë të veçantë, teksa thekson se do punojë “për kthimin e Shqipërisë në vendin ku mësuesi që ka në duar edukimin e brezave do jetë më i fortë dhe i respektuar, se ai që në duar ka pushtetin apo armët e krimit”

Mesazhi i Kryemadhit:

Sot është dita e mësuesve të Shqipërisë, influencuesve më të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri dhe formësimin e të ardhmes së kombit tonë. Ndërsa misioni i tyre i përditshëm shkon te edukimi i fëmijëve, zotimi im për të gjitha familjet shqiptare është kthimi i Shqipërisë në vendin ku mësuesi që ka në duar edukimin e brezave do jetë më i fortë dhe i respektuar, se ai që në duar ka pushtetin apo armët e krimit.

Të dashur mësues, unë besoj te ju dhe misioni juaj! Sot duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të ndihmuar fëmijët tanë. Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët. Besoni te profesioni juaj dhe duajeni atë. Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj ose për të mësuar dhe për të dhënë dije! Mençurojini dhe ndihmojini brezat të rriten me dashuri. Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.
Ju do të ndikoni te ata, që të bëhen më të mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë. Mësojini fëmijët se ata nuk janë as “djaj “dhe as “engjëj”, ndoshta disa nuk janë aq shumë të zot dhe nuk shkëlqejnë, por ata janë e ardhmja jonë dhe meritojnë gjithë besimin dhe përkujdesjen tonë. Unë besoj te ju mësuesit e mi! Ju të heshturit gjer në dhimbje, të mëdhenjtë gjer në madhështi!

Gëzuar festën, ju të mirët mësues! Gëzuar nga mot!